Site icon Telegrafi

Dyshohet se nuk reaguan në një rast ku disa persona ishin duke u përleshur fizikisht, rekomandohet suspendimi i tre zyrtarëve policorë

Hetuesit e Inspektoratit Policor i Kosovës kanë pranuar informacione nga Policia e Kosovës për një rast ku dyshohej se ishin përshirë tre zyrtarë policorë të stacionit policor të Podujevës.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se hetuesit e IPK menjëherë i janë përgjigjur rastit dhe kanë ndërmarre veprime paraprake hetimore në konsultim me Prokurorinë e Shtetit, dhe pas ndërmarrjes dhe veprime paraprake, dyshohet se tre zyrtarët policorë janë të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” lidhur me reagimin e tyre në një rast të përleshjes.

“Incidenti i përleshjes në mes palëve të dyshuara raportohet të ketë ndodhur më 16 janar 2025 në Podujevë ku disa persona ishin përleshur fizikisht ne mes veti. Zyrtarët policorë kanë kaluar në ato momente në atë segment të rrugës me veturë private (por në uniformë zyrtare) dhe kanë kontaktuar me palët e përfshira në këtë rast. Sidoqoftë, bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se këta zyrtarë policorë nuk kanë arrestuar ndonjë nga të dyshuarit dhe nuk kanë marrë ndonjë shënim apo veprim tjetër kështu që palët e dyshuara janë larguar nga vendi i ngjarje”, thuhet në njoftim.

Dyshimet e hetuesve të IPK-së janë se kjo kishte ndodhur pasi që njëri nga zyrtarët policor kishte lidhje familjare me njërin nga të dyshuarit.

“Në kuadër te hetimit dhe veprimeve tjera të natyrës administrative, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit të tre zyrtarëve policorë”, theksohet në komunikatë.

IPK falënderon Policinë e Kosovës për bashkëpunimin e treguar dhe angazhimin e përbashkët drejt fuqizimit të integritetit policor.

IPK në kuadër të autorizimeve ligjore dhe në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast./Telegrafi/

Exit mobile version