Telegrafi

Dyshohet se nga veturat kishte vjedhur telefona, kuleta e dokumente, arrestohet personi i kërkuar në Ferizaj

Foto: Arkiv

Policia e Kosovës për rajonin e Ferizajt ka bërë të ditur se ka arrestuar një person që ishte i kërkuar për disa vjedhje në Ferizaj.

Në njoftim thuhet se policët hetues pas një pune intensive, grumbullimit të informacioneve në terren, shikimit të kamerave të sigurisë kanë arritur që të sigurojnë prova të mjaftueshme dhe të identifikojnë të dyshuarin V.I (M/K) i moshës 59 vjeçar, i cili më datat: 24.11.2022, 05.12.2022, 25.01.2023 dhe më datën 27.01.2023 në dy rrugët e qytetit të Ferizajt, “Zenun Beqa” dhe “Alishefik Spahiu’’ dyshohet se nga veturat kishte vjedhur telefona celular të llojeve të ndryshme, portofola me para të gatshme si dhe dokumente personale nga disa qytetarë.

I dyshuari i V.I, ishte në kërkim policor, ndërsa është arrestuar të enjten në ora 18:00 në pikën kufitare në Han të Elezit dhe më pas është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj.

Pas intervistimit të tij nga policët hetues, në prani edhe të avokatit mbrojtës, me vendim të prokurorit të rastit është ndaluar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore. /Telegrafi/