Mbrëmjen e së mërkurës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) një foshnje ka ndërruar jetë, me ç’rast babai i viktimës e ka raportuar rastin në Policinë e Kosovës.
Sipas babait të foshnjës, infermierja e Klinikës i ka treguar për lindjen e foshnjës, dhe më pas i ka ardhur lajmi se është ngatërruar foshnja, pasi foshnja e tij kishte lindur pa shenja jete.
Në raportin e Policisë së Kosovës ankuesi ka raportuar se dyshon që është ndërruar foshnja.
Siç thuhet në raport, lidhur me rastin me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i foshnjës është dërguar në IML për obduksion.
Ndërsa, siç bëhet e ditur në raport, rasti vazhdon të hetohet.
“Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se dyshon se viktimës femër kosovare i është ndërruar foshnja. Lidhur me rastin me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i foshnjës është dërguar në IML për obduksion, rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raport të Policisë së Kosovës.
Ndërkaq, edhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, kishte sqaruar të enjten rastin e foshnjës e cila lindi pa shenja jete në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike në QKUK, pasi policia nisi hetimet për shkak të dyshimeve për “trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor”.
Sipas njoftimit, ShSKUK i ka mohuar këto pretendime duke sqaruar se bëhet fjalë për dhënie të paautorizuar të informatave nga infermierja dhe ngatërrim të informatës.
“Në lidhje me raportimet në medie se janë “ndërruar foshnjat” në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike, Qendra Klinike Universitare e Kosovës njofton se nuk bëhet fjalë për ndërrim të foshnjave, por për dhënie të pautorizuar të informatave nga infermierja dhe ngatërrim të informatës”, thuhej në reagimin e tyre.
Në lidhje me foshnjën e vdekur, në njoftim bëhej e ditur se gjatë kohës së kryerjes së lindjes, pacientja që po kryente lindjen është njoftuar nga gjinekologët për komplikimet shëndetësore dhe se fëmija i saj nuk do të mbijetonte.
“Deri të ngatërrimi i infermieres ka ardhur pasi në të njëjtën kohë ka pasur edhe një lindje tjetër dhe infermierja e Klinikës së Neonatologjisë ka dhënë informatë jo të autorizuar duke ngatërruar rastet, keqinfromuar prindërit”.
Menaxhmenti i Klinikës së Neoantologjisë thuhet se ka kërkuar deklaratat me shkrim nga i gjithë stafi kujdestar dhe rasti do të procedohet më tutje, sipas legjislacionit në fuqi.
“Drejtoria e ShSKUK, rikujton se në Qarkoret Informative të lëshuar së fundmi ka njoftuar klinikat dhe spitalet, se për dhënie të informatave janë të autorizuar vetëm mjekët, shefat e reparteve, apo drejtorët e klinikave që përcjellin gjendjen shëndetësore të pacientëve, por jo infermieret dhe punonjësit e tjerë që nuk janë marrë direkt me trajtimin e rastit”. /Telegrafi/