Paulo Dybala do të nisë sezonin e tij të dytë me fanellën e Romës, edhe pse pak kush mendoi se ai do të mbetet në Olimpico pas shpërthimit në vitin e tij të parë.
Megjithatë përkundër se kishte shumë oferta, ylli argjentinas vendosi t’i qëndroj besnik Romës ku pritet së shpejti të vazhdoj edhe kontratën me Giallorosët.
Dybala ka folur sërish për largimin nga Juventusi, edhe pse dëshira e tij ishte të qëndronte në Allianz Stadium.
“Nuk ishte e lehtë për mua të largohesha nga Juventus, aq më tepër kur gjithçka erdhi papritur. Zbulova se isha jashtë projektit të klubit, edhe pse shumë pak ditë më parë më thonin se gjithçka ishte në rregull”.
“Ishte një goditje e madhe, kisha shumë vite te Juventus dhe ndjehesha si në shtëpinë time. I njihja të gjithë, stadiumin, qytetin, tifozët, isha kapiteni i dytë. Unë doja të vazhdoja me Juventus, por futbolli i ka këto”.
“Nuk jam as i pari dhe as i fundit. Do t’i jem mirënjohës Juventusit për atë që më dhuroi sepse më rriti si njeri dhe si futbollist. Ishin shtatë vite shumë të bukura”, tha Dybala.
Tutje ylli argjentinas zbulon se refuzoi ofertë të madhe nga Arabia Saudite, pasi është i lumtur te Roma duke thënë se aty ka një trajtim special
“Refuzimi ofertës nga Arabia? Isha i bindur kur i refuzova, jam i lumtur te Roma. Më trajtojnë në mënyrë shumë speciale. Gjatë pushimeve fola me Jose Mourinhon dhe të dy dëshirojmë t’i japim diçka më shumë klubit”, deklaroi sulmuesi argjentinas. /Telegrafi/