Mbrëmjen e së shtunës, Juventusi mund të hedhë një tjetër hap të rëndësishëm drejt titullit në Serinë A.
Skuadra e Allegrit do të luajë në San Siro përballë Milanit, në një ndeshje që parashikohet të jetë udhëkryqi i vërtetë i sezonit.
Me një fitore bardhezinjtë do t’i afroheshin triumfit në kampionat, ndërsa disfata rrezikon të rihapë garën me Napolin e vendit të dytë, që momentalisht është 6 pikë larg.
Por, në supersfidën e rëndësishme, sipas gjasave te Juventusi nuk do të luajë një prej lojtarëve më të rëndësishëm. Paulo Dybala nuk është rikuperuar ende nga dëmtimi në kofshën e djathtë, ku pësoi tërheqje muskulore në derbin e fituar me Torinon.
Rehabilitimi i ngadaltë bëri që mjekët e klubit ta këshillojnë stafin teknik që sulmuesi të qëndrojë pushim përballë kuqezinjve, për të evituar rrezikun që dëmtimi të përsëritet dhe ku pasojat mund të jenë më të rënda.
Edhe pse deri në sfidën me Milanin, bardhezinjtë kanë edhe disa orë në dispozicion për të provuar rikuperimin e Dybala, shanset që argjentinasi të zbresë në fushën e lojës janë tepër të vogla.
Në këtë pikë, sulmuesit nuk i mbetet gjë tjetër, veçse të vazhdojë punën individuale, në mënyrë që të rikuperohet për ndeshjen e 17 prillit në Juventusit Stadium, ku do të ketë përballë ish-skuadrën e tij, Palermon.