Telegrafi

Dybala mund të jetë në rezervë ndaj Interit

(Foto: Twitter/JuventusFC)

Paulo Dybala është kthyer në stërvitje te Juventusi dhe mund ta bëjë rikthimin e tij në ndeshjen e të dielës kundër Interit.

Argjentinasi nuk ka luajtur që nga 26 shtatori për shkak të një tjetër problemi muskulor. Trajneri Massimiliano Allegri ka njoftuar se sulmuesi ishte përpjekur shumë që të rikthehej sa më shpejt që është e mundur.

Ndërsa sot (e enjte), La Gazzetta dello Sport ka raportuar se ai është kthyer në stërvitje me pjesën tjetër të skuadrës dhe mund të jetë në bankën rezervë për Derby d’Italia.

(Foto: Screenshot/Football Italia)

Arthur Melo shënoi rikthimin e tij në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Zenit St Petersburg, po ashtu edhe Juan Cuadrado, ndërsa Giorgio Chiellini kishte pushuar gjatë ndeshjes në Rusi.

Cuadrado pritet të startojë në krahun e sulmit së bashku me Federico Chiesan në anën e kundërt dhe Alvaro Moratan në qendër të sulmit. /Telegrafi/