Barcelona ditë më parë ka zyrtarizuar Ronald Koemanin si trajner për edicionin e ri.
Gjiganti katalunas e mori këtë vendim pasi shkarkuan trajnerin e mëparshëm Quique Setien.
Tekniku spanjoll pësoi debakël në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve 8-2 nga Bayern, që ishte eliminimi më i turpshëm i Barcelonës nga kjo garë.
Megjithatë tani ka filluar epoka Koeman, me holandezin që synon ta rikthejë Barcelonën te trofetë.
Disa nga yjet e skuadrës si Luis Suarez, Jordi Alba, Sergio Busquets, Ivan Rakitic apo Gerard Pique pritet të largohen nga Camp Nou.
E mediat holandeze kanë zbuluar se dy transferimet e para të Koeman te Barcelona do të jenë nga Ajax Amsterdam.
Fjala është për mesfushorin e talentuar Donny Van de Beek si dhe mbrojtësin argjentinas Nicolas Tagliaficio.
Për reprezentuesin holandez duhet të shpenzohet një shumë prej 45 milionë euro, ndërkohë për mbrojtësin e majtë do të mjaftonin 20 milionë që Ajax ta lë të lirë.
Gjatë kësaj jave, Barcelona pritet të fillojë kontaktet me Ajaxin për transferimin e dy yjeve në Camp Nou.
Kujtojmë që dy gjigantët evropianë kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme mes vete, ku vitin e kaluar katalunasit transferuan Frenkie De Jongun nga Ajax. /Telegrafi/