Site icon Telegrafi

Dy të vdekur dhe tre të lënduar në një aksident në autostradën “Ibrahim Rugova”

Foto arkivi

Dy persona kanë humbur jetën e tre të tjerë janë lënduar rëndë, në një aksident komunikacioni që ka ndodhur ndërmjet një kombi të udhëtarëve dhe një kamioni në autrostradën “Ibrahim Rugova”, përkatësisht afër fshatit Peqan të Suharekës.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

“Sot, më 05.10.2019, në ora 09:30, në autostradë, konkretisht në kilometrin e 36-të Vërmicë-Prishtinë (fshati Peqan në Suharekë), ka ndodhur një aksident ku janë të përfshira dy automjete (një furgon udhëtaresh dhe një kamion). Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën dy persona dhe tre të tjerë janë lënduar. Kahja e autostradës në drejtim të Prishtinës është bllokuar, automjetet po orientohen në rrugë alternative”, tha Kelani.

Po ashtu, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj në Facebook ka shkruar se të gjithë udhëtarët janë shtetas të Shqipërisë.

“Ka ndodhur një aksident fatal në Autostradën “Ibrahim Rugova” afër Peqanit. Dy janë të vdekur, 4 të lënduar dhe një në gjendje të rëndë. Të gjithë janë shtetas të Shqipërisë. Jam në vendin e ngjarjes dhe të gjitha ekipet emergjente ndodhen këtu”, ka shkruar Muharremaj.

Në disa fotografi të dërguara nga një lexues i Telegrafit vërehet se si është krijuar kolona e automjeteve në autostradë. /Telegrafi/

Exit mobile version