(E plotësuar) Dy persona janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri, në një incident që ka ndodhur para pak çastesh në Pejë. Bëhet e ditur se njëri nga të plagosurit është shtetas i Shqipërisë.
Rastin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë Rajonale në Pejë, Xhevat Ibraj.
“Një përleshje armatosur ka ndodhur sonte në Pejë, ku sipas të dhënave të para dy persona janë plagosur. Ata janë dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës”, tha Ibraj për Telegrafin.
Dr. Skender Dreshaj, drejtor i Spitalit Rajonal në Pejë, konfirmon se një person i plagosur shtetas i Shqipërisë ka arrritur në spital. “Ai po reanimohet dhe do të përcjellet për QKUK në Prishtinë. Presim edhe ta sjellin edhe të lënduarin e dytë”, tha Dreshaj.
Sipas burimeve të Telegrafit ngjarja ka ndodhur tek rruga e ish-objektit të zjarrfikësve.
Merret vesh se në vendin e sulmit një automjet ka marrë flakë, me ç’rast ka intervenuar Brigada e Zjarrfikësve të Pejës. /Telegrafi/