Telegrafi

Dy të arrestuar në Vushtrri, kapen në flagrancë duke vjedhur

Foto: Ilustrim

Një rast i veprës penale ‘vjedhje e rëndë në tentativë’ është raportuar mëngjesin e së enjtes në stacionin policor në Vushtrri, ndërsa si rezultat i një reagimi të shpejtë, njësitet policore kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë dy persona të dyshuar për përfshirje në vjedhje.

Policia ka njoftuar se, arrestimi i dy të dyshuarave është bërë mbi dyshime të arsyeshme dhe prova të siguruara se rreth orës 03:30 të datës 17 janar 2020, në rrugën ‘Trepça’’ në Vushtrri, dy të dyshuarit në bashkëveprim, në një shtëpi private kanë kryer veprën penale ‘vjedhje e rëndë në tentativë’, me ç’rast nga shtëpia kanë vjedhur vegla të ndryshme pune dhe veshmbathje të ndryshme.

Policia bën të ditur se gjërat  e vjedhura pas procedurave të nevojshme i janë kthyer pronarit.

Ndërsa pas procedurave intervistuese, dy të dyshuarve E. Sh., 25 vjeçar dhe A. V., 23 vjeçar, të dy shtetas të Republikës së Kosovës, u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë./Telegrafi/