Telegrafi

Dy speciet “aliene” që bënë bujë ditë më parë, ekzaminohen në laborator

Dy specie “aliene” të prezantuara javën e kaluar në Kongresin meksikan nga një entuziast i UFO-ve, iu janë nënshtruar testeve nga doktorët.

Këto specie për të cilat thuhej se ishin “jashtëtokësore” u prezantuan javën e kaluar para ligjvënësve meksikanë dhe paraqitja e tyre shkaktoi mjaft bujë në internet, transmeton Telegrafi.

Këto dy kufoma të vogla, janë ekzaminuar me rreze X nga mjekët.

Lexo po ashtu Eksperti i UFO-ve shfaq "kufomat e alienëve" para Kongresit meksikan

Jaime Maussan, i cili javën e kaluar i prezantoi këto specie tha se trupat u gjetën në Peru dhe janë “qenie jo-njerëzore që nuk janë pjesë e evolucionit tonë tokësor”.

Mjekët në një laborator në Mexico City kanë kryer skanime me rreze X dhe me CT ndaj këtyre trupave të martën.

Jose de Jesus Zalce Benitez, drejtori i Institutit të Kërkimit të Shkencave Shëndetësore të Sekretarit të Marinës, i cili kreu testet, tha se skanimet treguan se pjesa e kafkës nuk ishte manipuluar.

“Nuk ka prova për montim apo manipulim të kafkës siç është pretenduar”, deklaroi Benitez.

Gjetjet e tij kundërshtuan sugjerimet e mëparshme se trupat ishin manipuluar me kocka kafshësh ose me kocka njerëzore.

“[Ato] i përkasin një skeleti të vetëm që nuk është bashkuar me pjesë të tjera”, tha ai.

Por, për sa i përket autenticitetit të këtyre specieve ka folur edhe agjencia hapësinore amerikane NASA e cila ditë më parë tha se nuk e njeh natyrën e mostrave dhe se këto gjetje i kishte parë vetëm përmes një postimi në Twitter.

Lexo po ashtu Çfarë tha NASA lidhur me dy kufomat "aliene" të prezantuara në Kongresin meksikan?

“Kjo është diçka që e kam parë vetëm në Twitter. Kështu kur keni gjëra të pazakonta, duhet t’i bëni ato të dhëna publike. Unë e mendoj këtë sikur NASA posedon një nga mostrat më të vlefshme nga hapësira kozmike: gurë hënorë për shembull. Çfarë bëjmë më pas? I bëjmë të disponueshme me të gjithë shkencëtarët që duan të punojnë në këtë”, tha David Spergel, njëherësh edhe president i Fondacionit Simons.

“Ne nuk e dimë natyrën e këtyre mostrave të prezantuara aty. Po të isha në vendin e qeverisë meksikane, nëse do të kishim diçka të çuditshme, do t’i bëja këto mostra të disponueshme për të gjithë komunitetin shkencor”, pati thënë Spergel ditë më parë. /Telegrafi/