Site icon Telegrafi

Dy raketa nga Rripi i Gazës në drejtim të Izraelit

Dy raketa janë shkrepur nga Rripi i Gazës në jug të Izraelit, njoftoi ushtria izraelite.

Sipas një raporti nga Jerusalem Post, nuk ka të plagosur dhe nuk pati dëme në zonë.

Raketat u lëshuan disa ditë para njoftimit të mundshëm të hapave të parë të aneksimit të Bregut Perëndimor nga ana e Izraelit.

Qeveria izraelite mund të fillojë të aneksojë zonat në Bregun Perëndimor dhe Luginën e Jordanit në përputhje me planin e presidentit amerikan, Donald Trump për Lindjen e Mesme.

Palestinezët me vendosmëri e kundërshtojnë planin. Sipas mendimit të tyre, ai favorizon Izraelin. Plani është gjithashtu shumë i diskutueshëm ndërkombëtarisht.

Krahu i armatosur i organizatës palestineze Hamas, e cila qeveris Rripin e Gazës, e ka përshkruar çdo aneksim si deklaratë lufte.

Hamasi, konsiderohet si një organizatë terroriste nga ana e Izraelit.

Shumica e botës i konsiderojnë joligjore vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor dhe planet e aneksimit kanë ngritur shqetësime se masa mund të krijojë paqëndrueshmëri në rajon.

Bregu Perëndimor është okupuar nga Izraeli në luftën arabo-izraelite në vitin 1967.

Plani i Trumpit i ofron Izraelit kontroll mbi vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor dhe Luginën strategjike të Jordanit si dhe shpall Jerusalemin si “kryeqytetin e pandarë të Izraelit”.

Dokumenti gjithashtu flet për mundësitë e krijimit të shtetit palestinez me kryeqytet në një pjesë të Jerusalemit lindor, por vendos një seri kushtesh që duhet të përmbushen nga palestinezët.

Palestinezët kanë thënë se ata nuk e konsiderojnë Uashingtonin si një lojtar të paanshëm në konfliktin që po zgjatë me dekada. /REL/

Exit mobile version