Dy ndeshje, dy fitore – ky është epilogu i Barcelonës në këtë fillimsezoni në La Liga. Blaugranët e kanë mposhtur Celta Vigon me rezultat 3-0 në udhëtim.
Rezultati u zhbllokua në minutën e 11-të të takimit. Ansu Fati mori një top nga Philippe Coutinho dhe me lehtësi u lirua nga mbrojtësit kundërshtarë, ndërsa goditja e tij u ndal në rrjetë.
Në fund të pjesës së parë (42’), katalunasit mbetën me një lojtar më pak në fushë, pasi Clement Lenglet u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë.
Megjithatë, inferioriteti numerik në fushë nuk u vërejt në pjesën e dytë. Për më shumë, mysafirët e shënuan edhe një gol të dytë.
Lionel Messi kaloi mbrojtjen vendase dhe iu afrua portës në anën e djathtë, ndërsa goditjen e tij e devijoi në portë Lucas Olaza (51’).
Vizitorët patën raste të tjera me anë të Philippe Coutinhos, ndërsa në minutat e fundit nikoqirët tentuan të shënonin përmes rasteve të njëpasnjëshme të Nolitos, por nuk rezultuan efektive.
Dhe për ta vendosur rezultatin përfundimtar prej 3-0 u kujdes Sergi Roberto, i cili shënoi gol të bukur në minutat shtesë (90’+5).
Kjo ishte humbja e parë e Celta Vigos, pas dy barazimeve dhe një fitoreje, ndërsa Barcelona arkëton gjashtë pikë nga dy fitore. /Telegrafi/
https://twitter.com/TheFS_Live/status/1311753345657442305
https://twitter.com/TheFS_Live/status/1311768905384423426
https://twitter.com/TheFS_Live/status/1311779739653283840