Telegrafi

Dy momentet e përballjes direkte të më të mirëve: Njërin e fitoi Messi, tjetrin Ronaldo

(Foto: Screenshot/Twitter/BeIN SPORTS/YouTube)

E gjithë vëmendja e botës së futbollit të martën mbrëma ishte në Camp Nou, ku janë vënë përballë njëri-tjetrit dy futbollistët më të mirë të futbollit modern, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, me skuadrat e tyre respektive, Barcelona dhe Juventus.

Zonja e Vjetër e fitoi me rezultat 3-0 sfidën dhe falë rezultatit më të mirë në përballjet direkte, u kualifikua nga pozita e parë në Grupin G.

E gjitha nisi me një përshëndetje të përzemërt të dy superyjeve, të cilët ashtu si u ka hije dy më të mëdhenjve të futbollit, treguan profesionalizëm në fushë.

Numri 7 i Juves dukej shumë i motivuar për lojë që nga fillimi dhe përveç rrezikut që paraqiste në fazën ofensive, angazhohej edhe në mbrojtje.

Dhe duke qenë se 10-shi i Barcës lojën e tij e ka të fokusuar në sulm, ishte e pritshme edhe përballja e drejtpërdrejtë mes tyre, ndërsa ekipi i regjisë ishte në pritje të situatave të tilla për t’iua servuar shikuesve.

Momentin e parë të duelit direkt e fitoi Messi. Ndërkohë që ndodhej në gjysmën e Juves, argjentinasi shmangu një ndërhyrje të Arthur, derisa CR7 po kthej me shpejtësi dhe u nis në drejtim të topit, por me një lëvizje mjeshtërore, Leo e nxori nga loja.

https://youtu.be/siTfYmepulo

Momentin e dytë të përballjes së drejtpërdrejtë e fitoi Ronaldo. Gjatë rrjedhës së lojës, portugezi ndodhej në secilën pjesë të fushës duke qenë shumë aktiv.

Ai kishte shënuar dy gola nga penalltia, një të fituar vet dhe një tjetër pas prekjes së topit me dorë nga Clement Lenglet brenda zonës. Një tjetër gol në të cilin ishte i përfshirë iu anulua për pozitë jashtë loje, derisa një gol të bukur me akrobacion e realizoi Weston McKennie.

Dhe ndërkohë që bënte loje defensive, 35-vjeçari ishte kthyer te zona e Juves, ku Messi e kaloi me lehtësi Leonardo Bonuccin duke ia futur topin nën këmbë, por aty ishte Ronaldo për t’ia marrë topin duke ia bllokuar hapësirën dhe duke ia pamundësuar 33-vjeçarit që ta rrezikonte portën e Gianluigi Buffonit. /Telegrafi/

https://twitter.com/KaizerKroos/status/1336426288861466624