Site icon Telegrafi

Dy ‘krisma’ në Tiranë, Shqipëria merr fitore madhështore ndaj Polonisë dhe bën hap gjigant drejt Euro 2024

Nuk ka shqiptar që nuk e ëndërronte këtë fitore dhe ajo erdhi në Tiranë. Shqipëria ka mposhtur Poloninë 2-0 në ndeshjen e saj më të rëndësishme në shtatë vitet e fundit, duke bërë një hap gjigant drejt kualifikimit për Euro 2024.

Një ndeshje e fortë nga të dy skuadrat, sidomos në minuta e para, ku të dy skuadrat luftuan për çdo top.

Fillimisht shënuan polakët në minutën e 24-të me mbrojtësin Jakub Kiwior.

Ai u gjend mirë në zonë për të tundur rrjetën e Thomas Strakoshës. Por rasti u rishikua në VAR dhe Kiwior ishte në pozitë jashtë lojë.

Shqipëria pas këtij momenti filloi të luajë më mirë dhe të krijojë më shumë.

Zhvillohej minuta e 37-të, kur Jasir Asani merr një top nga e djathta dhe me një gjuajtje të fuqishme shënoi për 1-0.

Pas golit Shqipëria mirë menaxhoi lojën edhe pse ishin edhe tetë minuta lojë shtesë, por që pjesa e parë i takoi kuqezinjve me rezultat minimal 1-0.

Edhe në pjesën e dytë vazhdoi loja e mirë e Shqipërisë, e sigurt në fazën defensive dhe jashtëzakonisht cinike në ofensivë.

Trajneri Sylvinho bëri ndryshime dhe ato ishin mjaftë të qëlluara, duke inkuadruar Mirlind Dakun e Taulant Seferin në vend të Sokol Cikalleshit dhe Myrto Uzunit.

Pikërisht sulmuesit gjilanas, Mirlind Daku në topin e parë të prekur realizoi gol pas një asistimi nga Ylber Ramadani. Për Dakun ishte goli i parë me fanellën e Kombëtares së Shqipërisë në ndeshjen e tij të dytë.

Deri në fund të ndeshjes, kuqezinjtë u mbrojtën fort dhe polakët nuk arritën në asnjë moment t’i rrezikonin duke u treguar si një përfaqësuese modeste karshi mbrojtjes gjigante të Shqipërisë në krye me kapitenin Berat Gjimshiti.

Një fitore e madhe, e shumë kërkuar me shumë sakrifica dhe që tre pikët erdhën në momentin e duhur.

Me këtë fitore kuqezinjtë shkojnë në pozitën e parë në Grupin E me 10 pikë të tubuara, dy më shumë se Republika Çeke e Moldavia dhe katër më shumë se Polonia që ishte favoriti kryesor për ta fituar grupin. /Telegrafi/

https://twitter.com/fener1medya/status/1700967003920421353?s=20

https://twitter.com/fener1medya/status/1700954775074820526?s=20

Exit mobile version