Telegrafi

Dy javë pas – uji nga Liqeni i Badocit ende nuk pihet, vlerat e manganit ende mbi normat e lejuara

Po bëhen gati dy javë që qytetarët e disa zonave në Prishtinë të cilët furnizohen nga Liqeni i Badocit kanë filluar të blejnë ujë, pasi Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) bëri thirrje që të mos përdoret uji për pije dhe përgatitje të ushqimit, pasi që analizat e mostrave të ujit në rezultatet laboratorike kanë treguar se ka vlera të rritura të manganit.

Mirëpo, këto vlera ende nuk e kanë arrit standardin e lejuar sipas udhëzimit administrativ dhe uji ende nuk duhet konsumuar për pije.

Kështu tha në një prononcim për Telegrafin koordinatorja për monitorimin e ujit, Burbuqe Nushi-Latifi.

Lexo po ashtu Rritja e vlerave të manganit në ujë, Nushi nga IKShPK thotë se temperaturat e larta janë shkaku, shpreson të normalizohet në javën e ardhshme

“Vlerat janë ende në ostilim, mirëpo ende nuk e kanë arrit standardin sipas udhëzimit administrativ”, ka thënë Nushi-Latifi.

Po ashtu, Nushi-Latifi ditë më parë ka thënë për Telegrafin se problematika e manganit është fenomen natyror tek çdo liqen që furnizon me ujë, jo vetëm në Kosovë, por kudo në botë.

“Ato mund të kenë ndikim në sistemin nervor qendror, por është e rekomandueshme që fëmijët, foshnjat, 0-6 muaj mos me përgatit formulën, qumështin pluhur me ujin që ka vlera të shtuara të manganit, sado që ato të jenë të vogla. Pse? Pasi vet qumështi ka mangan, pasi duhet që t’i ofrohet fëmijës mangani. Vlerat e shtuara e rrit koncentrimin e manganit dhe ai ndikon në zhvillimin e tyre psikik. Vlerat e shtuara ndikojnë në sistemin nervor qendror dhe tek fëmijët e tek të rriturit. Nëse një fëmijë rritet në një vend ku furnizohet me ujë i cili ka vlera të larta të manganit, me vite të tëra atëherë mund të themi që ai ndikon në rritjen e karakterit të tij, në IQ e tij, në koncentrimin e tij, etj”, theksoi ajo.

Ndryshe, KRU “Prishtina”, ka bërë publikimin e disa hartave ku tregon qartë se në cilat zona nuk mund të përdoret ujë për pije dhe përgatitje të ushqimit.

Sipas hartave të publikuar janë mbi 20 zona që furnizohen nga Liqeni i Badocit.

Zonat janë: Matiqan, Aktash, Albi Mall, Bregu i Diellit, Çagllavica, Fshati Ndërkombëtar, Graçanica, Hajvalia, Kishnice, Kodrina, Lagjja e Spitalit, Lagjja jone, Lagjja Nic, Lagjja Qendresa, Lagjja Studenteve, Llapnaselle, Lugina e Thelle, Marigona Hill, Mati 1, Preoc, Prishtina e re, Royal Green Residences, Shashkoc, Suchice, Ulpiana e re, Veternik. /Telegrafi/