Dy burrat që u vranë nga një raketë që goditi një fshat në Poloninë lindore do të varrosen këtë fundjavë, tha një prift lokal.
Njerëzit në fshatin Przewodow – 6.4 kilometra nga kufiri ukrainas – ende nuk e dinë saktësisht se çfarë ndodhi, por mendohet gjerësisht se një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase goditi gabimisht tokën bujqësore.
Kyiv e mohon këtë dhe thuhet se ka mobilizuar specialistë në zonë, transmeton Telegrafi.
“Unë i njihja (të dy) shumë mirë”, tha Bogdan Wazny për Reuters. “Njëri jetonte këtu afër në këtë kompleks të vjetër banimi, dhe tjetri në fshatin fqinj, i cili është 3.5 km larg kishës. Ata ishin njerëz shumë të sjellshëm”.
Wazny tha se funerali i parë do të bëhet të shtunën në mesditë.
Funerali do të drejtohet nga një peshkop nga qyteti i afërt i Zamosc-ut.
“Në këtë varrim të parë do të ketë prezencë ushtarake, pra një orkestër, ndoshta disa të ftuar nga ministritë, ose të paktën përfaqësues të autoriteteve më të larta shtetërore”, tha ai.
Varrimi i dytë do të bëhet të dielën. /Telegrafi/