Sot në orët e hershme të mëngjesit në veri të vendit janë vendosur edhe dy barrikada, njëra në Lagjen e Boshnjakëve në afërsi të shkollës Teknike, ndërsa tjetra te vendi i quajtur “Kërshi i Dudës”.
Lajmi për Telegrafin është konfirmuar nga Policia e Kosovës.
Barrikada e vendosur në veri të Mitrovicës gjendet tek udhëkryqi i Shkollës Teknike, në afërsi të Lagjes së Boshnjakëve, ndërkaq barrikada tjetër është vendosur në rrugën magjistrale Mitrovicë – Zveçan, pak përtej vendit të quajtur “Kërshi i Dudës”.
“Në veri të vendit, gjatë natës persona/grupe kriminale, kanë vazhduar vendosjen e barrikadave duke penguar edhe më tej lirinë e lëvizjes së lirë. Referuar informacioneve zyrtare janë vendosur edhe dy barrikada me mjete të rënda. Njëra prej barrikadave është vendosur në udhëkryqin te shkolla teknike, ndërsa tjetra është vendosur te vendi i quajtur ‘Kërshi i Dudes’”, thuhet në njoftim.
Me vendosjen e këtyre dy barrikadave, ka shkuar në 13 numri i tyre që janë vendosur në veri.
Ndryshe, sot ka hyrë në ditën e 18 bllokimi i rrugëve në veri të vendit pas vendosjes së barrikadave nga grupet kriminale, të koordinuar dhe mbështetura nga Qeveria e Serbisë ndërsa lidhur me situatën në vend të hënën kryeministri Albin Kurti ka mbajtur një takim me Këshillin e Sigurisë së Kosovës.
Në takimin e KSK-së u tha se këto veprime vijnë si rezultat i koordinimit të ngushtë mes Qeverisë së Serbisë dhe strukturave ilegale dhe grupeve kriminale, e cila po ashtu po përhapë propagandë.
“Strukturat ilegale si dhe grupet kriminale po vazhdojnë të kryejnë akte ekstremiste ndaj qytetarëve të Republikës, institucioneve shtetërore, ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, gazetarëve, ndaj pjesëtarëve misionit të EULEX-it dhe njësive patrulluese të KFOR-it’, thuhet më tej.
Pas takimit të KSK-së, Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës është ende “në pritje të veprimeve nga KFOR-i” për heqjen e barrikadave, të cilat u ngritën në shenjë proteste nga disa serbë lokalë pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq – i akuzuar për sulmin në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. /Telegrafi/