Telegrafi

Dy amerikanë thuhet se janë kapur nga forcat ruse në Ukrainë

Ish-ushtarakët amerikanë Alexander Drueke, 39 vjeç dhe Andy Huynh, 27 vjeç, janë kapur gjatë luftimeve në Ukrainë, raportojnë mediet e huaja.

Nëse raporti konfirmohet, ata do të jenë ushtarakët e parë amerikanë që bëhen robër lufte ruse që nga fillimi i konfliktit, transmeton Telegrafi.

Një shok i dy burrave që kërkoi të mos i përmendet emri tha se ata u kapën gjatë një beteje të enjten e kaluar në fshatin Izbytske, afër Kharkiv.

Ai tha se gjatë betejës “kaotike” një tank kishte qëlluar mbi dy burrat, por se një kontroll i mëvonshëm nuk gjeti as trupat e tyre dhe as pajisjet e tyre.

Dyshimet e tij u rritën më vonë kur një mesazh u shfaq në një kanal rus në Telegram që pretendonte se dy ushtarakë amerikanë ishin marrë pranë Kharkiv.

Drueke, nga Alabama, ishte regjistruar në ushtrinë amerikane pas 11 shtatorit dhe shërbeu në Irak si rreshter shtabi.

Huynh, i cili lindi nga prindër vietnamezë, jetonte në Alabama dhe studionte robotikë në kolegj. Ai kishte shërbyer më parë në marinsat amerikane për katër vjet, por nuk kishte përvojë luftarake. /Telegrafi/