Emri i Presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq përfshihet në aferën “Letrat e Pandorës”. Por kabineti i Gjukanoviqit i hedh poshtë akuzat. Ai thotë se janë përpjekje për të diskredituar Presidentin e Malit të Zi.
Qendra hulumtuese malazeze MANS, e cila ka marrë pjesë në hulumtimet për Letrat e Pandorës, ka thënë se Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq dhe djali i tij, Bllazho, kanë nënshkruar marrëveshje të fshehta për menaxhimin e pasurisë në vitin 2012, duke u fshehur pas një rrjeti kompanish nga Mbretëria e Bashkuar, Zvicra, Ishujt e Virgjër Britanikë, Panamaja dhe Gjibraltari.
Kabineti i Gjukanoviçit ka thënë se publikimi i qendrës MANS është një tjetër “përpjekje për të diskredituar Presidentin e Malit të Zi dhe familjen e tij”. Në reagim thuhet se Gjukanoviç ka dhënë sqarime për aktivitetet e vitit 2012 dhe se pretendimet e organizatës MANS janë të pavërteta.
Por dokumentet e rrjedhura për ”fshehjen e pasurisë” së Presidentit Gjukanoviq dhe birit të tij Bllazho vazhdojnë të komentohen me të madhe nga partitë në pushtet dhe nga partia Demokratike e Socialistëve e Presidentit, por dhe nga institucione të ndryshme.
Prokurori special shtetëror thotë se do të ndërmarrë te gjitha masat e nevojshme nga kompetencat e tij për zbardhjen e fakteve dhe rrethanave dhe për rezultatet do të njoftojë opinionin.
MANS nuk beson në punën e hetueseve të hetimit për Gjukanoviqin
Ndërkaq nga rrjeti MANS që kanë bërë zbulimin e dokumenteve e që vazhdojnë të sjellin edhe të tjera, nuk kanë shumë besim në punën e prokurorit special.
Dejan Milovac nga MANS thotë se “edhe më herët ka pasur zbulime të rëndësishme lidhur me paratë e politikaneve të Malit të Zi jashtë e deri tani nuk kemi pasur kurrfarë përgjigjesh, prandaj edhe me këtë rast nuk pres ndonjë gjë të re”.
Ai shton se “ështe i nevojshëm bashkëpunimi ndërkombëtar me Zvicrën, Mbretërinë e Bashkuar dhe partnerët e tjerë të cilët kanë përvojë kur janë çështje komplekse të hetimeve financiare, veçmas ato që përfshijnë dhe destinacionet OFF SHORe”.
Për Lëvizjen Qytetare URA të zëvendëskryeministrit Dritan Abazoviq, pushteti i Gjukanoviqit nuk meriton të ushtrojë kurrfarë funksioni politik. Drejtoresha politike e Lëvizjes URA, Ana Novakoviq i ka kërkuar Presidentit që t’i përgjigjet opinionit “përse llogaritë bankare nuk i ka hapur në vend, por në destinacionet e largëta përmes kompanive off shore prapa të cilave është fshehja e pasurisë”.
Kjo parti ka vite që insiston në miratimin e Ligjit për prejardhjen e pasurisë së Gjukanoviqit.
Nga ana tjetër funksionarët e partisë Demokratike te Socialiste të Gjukanoviqit, vlerësojnë se e tërë kjo është një aferë tjetër e fabrikuar kundër Presidentit të Malit të Zi.