Site icon Telegrafi

Dushi: Rikandidimi i ish-kryetarëve në veri i diskutueshëm, por me rëndësi të shtrihet pushteti atje (Video)

Florian Dushi, anëtar i KQZ-së nga LDK-ja, ka thënë se rikandidimi i ish-kryetarëve të komunave të veriut është shumë i diskutueshëm në aspektin politik dhe etik, por ligjërisht nuk kanë ndonjë pengesë për t’u futur në garën zgjedhore.

Dushi, në emisionin “Përballje” me gazetarin Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini, ka thënë se tashmë është e çartë se Lista Serbe si subjekt politik instruktohet nga Serbia.

“Por, për ne me rëndësi është të shtrihet pushteti lokal edhe në këto katër komuna. Është në interesin e qytetarëve të atyre komunave që t’u ofrohen shërbimet e nevojshme komunale”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Anëtari i KQZ-së nga LDK ka thënë se në bazë të shqyrtimin të legjislacionit edhe si anëtar i KQZ-së, por edhe si subjekt politik [LDK] kanë ardhur në përfundim se nuk ekziston ndonjë pengesë ligjore që do të mund të ndalonte certifikimin e ish- kryetarëve të komunave serbe.

“Edhe pse është tejet e diskutueshme aspekti politik dhe etik i rikandidimit të njëjtëve që me dorëheqjet e tyre kanë shkaktuar zgjedhjet e jashtëzakonshme në atë pjesë”.

Lexo po ashtu Daka: Gati për zgjedhjet në veri, OSBE nuk do të ketë rol ekzekutiv (Video)

Dushi ka thënë se aspekti i sigurisë në atë pjesë të Kosovës është sfidues më shumë se dita e zgjedhjeve për shkak të presionit që bën Lista Serbe.

“Po provojmë që të japin maksimumin që qytetarët në atë pjesë të Kosovës të përmbushin të drejtën e tyre kushtetuese dhe ligjore”, tha ndër të tjera Florian Dushi./Telegrafi/

Exit mobile version