Anëtari i LDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Florian Dushi, ka komentuar vendimin e Gjykatës Supreme, e cila mori parasysh ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për numërimin e votave të diasporës.
Dushi në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se kjo Gjykatë [Supreme] në vititn 2017 nuk veproi njësoj në zgjedhjet lokale, kur LDK kishte dërguar prova të pakontestueshme për të rinumëruar të gjitha votat për kryetar të Prishtinës, e që atë kohë Arban Abrashi i LDK garoi në balotazh me Shpend Ahmetin e LVV-së.
Sipas tij Gjykata Supreme kishte vendosur të mos ketë rinumërim pasi që sipas vëzhguesve vendorë e ndërkombëtarë zgjedhjet në Kosovë kishin shkuar përgjithësisht mirë.
Postimi i Dushit:
“Gjykata që nuk korrekton, por skandalizon zgjedhjet!
Kjo Gjykatë, në vitin 2017, përballë provave të pakontestueshme të LDK-së në favor të rinumërimit të të gjitha votave në zgjedhjet për Kryetar të Prishtinës, kishte vendosur që nuk ka nevojë të ketë rinumërim meqë “sipas vëzhguesve vendorë e ndërkombëtarë zgjedhjet në Kosovë kishin shkuar përgjithësisht mirë”, ka shkruar ai.
Ndryshe sot Gjykata Supreme ka miratuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për numërimin e 4,639 fletëvotimeve të votuesve jashtë Kosovës, në zgjedhjet e 6 tetorit.
Në këtë vendim është anuluar vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i cili e kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e LVV-së për numërim./Telegrafi/