Betim Haxhimusa ka marrë tretmanin e nevojshëm mjekësor pas lëndimit të pësuar nga tifozët e Vëllaznimit në ndeshjen e fundit të sezonit në Superligë.
Skuadra e Gjilanit ka barazuar pa gola në udhëtimin e tyre jetik tek Vëllaznimi i Gjakovës, në ndeshjen e vlefshme për javën e fundit, atë të 33-tën në Superligën e Kosovës në futboll.
Kjo ndeshje ishte ‘jetë a vdekje’ për ty dyja skuadrat, por në fund ishin ‘Skifterat’ që u gëzuan pasi siguruan mbijetesën, ndërsa gjakovarët do ta kërkojnë atë me anë të barazhit.
Megjithatë, ndeshja nuk përfundoi si është më së miri dhe pa eksese, pasi në minutat shtesë gjyqtari kryesor Genc Nuza u detyrua ta ndërpres paksa ndeshjen.
Ishin duke u zhvilluar minutat shtesë kur tifozët vendas filluan të gjuajnë gjësende të forta në fushën e lojës, pasi më parë thonë se u provokuan nga lojtari i Gjilanit, Gëzim Rusi.
Ishte sulmuesi ferizajas, Haxhimusa, i cili e pësoi më së keqi pasi u godit me gur në fytyrë nga tifozët e Vëllaznimit.
Pas kësaj goditje Haxhimusa u mbush i tëri me gjak dhe ekipet mjekësore të skuadrave intervenuan për t’ia mbyllur plagën dhe pastaj e dërguan në qendrën mjekësore të qytetit të Gjakovës.
Pas arritjes në spital, sulmuesi i Gjilanit mori tretmanin e nevojshëm mjekësor, ku u desh të marr edhe disa qepje në fytyrë shkaku i lëndimit.
Në fotografitë e dërguara Telegrafit, Haxhimusa shihet me fashat e tij në fytyrë, teksa thotë se ende gjendet në spital dhe ka ende marramendje. /Telegrafi/