Nga: Khalil Gibran
Përktheu: Bajram Karabolli
BRENGAT E MIA
Në vjeshtë mblodha të gjitha brengat e mia dhe i varrosa në kopshtin tim.
Dhe, kur erdhi prilli, pra, kur mbërriti pranvera, si për të festuar dasmën e saj me tokën, në kopshtin tim shpërthyen dhe u rritën ca lule aq të bukura, si asnjë lule tjetër.
Fqinjët e mi erdhën, me vrap, për t’i parë. Pastaj, të gjithë, m’u lutën dhe më thanë:
– Kur të vijë vjeshta, stina e mbjelljes, a do të na japësh edhe neve farat e këtyre luleve, që ato të rriten edhe në kopshtet tona?
_______________
Lexo po ashtu:
– Ju keni Libanin tuaj, unë kam timin
– Thirrja më e bukur: Nëna ime
– Mjerë ai komb që si udhëheqës ka dhelprën, si filozof magjistarin dhe si artistë laramanët dhe imituesit
***
VARRMIHËSI
Një herë shkova në varreza për të varrosur një nga maskat e mia. Ndërkohë që po e varrosja maskën më afrohet varrmihësi dhe më thotë:
– Nga të gjithë ata që vijnë këtu dhe varrosin egot e tyre, vetëm ti po më pëlqen.
– Faleminderit shumë që po ma bën qejfin, – i them unë. – Po nuk më thua pse të pëlqyekam aq shumë?
– Sepse, gjithë të tjerët që vijnë këtu, hyjnë duke qarë dhe dalin duke qarë, ndërsa ti, gjithmonë, hyn duke qeshur dhe del duke qeshur, – m’u përgjigj varrmihësi.
_______________
Lexo po ashtu:
– Populli dhe tirani …
– Vdekja e poetit është jeta e tij
– Drejtësia!
***
NJOLLA E ZEZË
Para shtatë shekujsh, shtatë pëllumba të bardhë u ngritën nga thellësia e një lugine dhe duke fluturuar arritën në majën e një mali të lartë plot me borë.
Një nga shtatë njerëzit që po i shikonin pëllumbat e bardhë në fluturim tha:
– Në njërin krah të pëllumbit të shtatë shikoj një njollë të zezë.
Sot e kësaj dite, njerëzit e asaj lugine tregojnë për shtatë pëllumba të zinj që, para shtatë shekujsh, fluturuan drejt majës së malit me dëborë.