Telegrafi

Duke publikuar pamje tmerruese të Ukrainës, Zinchenko bën thirrje të ndalet Putini: T’i shpëtojmë fëmijët ukrainas

(Foto: Instagram/zinchenko_96)

Një nga futbollistët më të mirë ukrainas, Oleksandr Zinchenko, ka bërë një apel për të ndaluar agresionin rus ndaj vendit të tij, duke theksuar se janë vrarë një numër i madh njerëzish të pafajshëm, përfshirë edhe fëmijët.

Lojtari i Manchester Cityt ka postuar një video prekëse në Instagram me pamjet tmerruese të luftës në Ukrainë dhe i bëri thirrje që të ndalet Vladimir Putini.

“Unë jam Oleksandr Zinchenko, një futbollist i Manchester Cityt dhe Ukrainës. Unë nuk luaj vetëm për këtë vend, unë jam shtetas i tij. Vendi im aktualisht është duke u mbrojtur nga agresioni rus. Mijëra njerëz po vdesin. Trupat ruse tashmë kanë shkatërruar disa qytete, bomba dhe raketa po bien dhe godasin shtëpitë e civilëve”.

“Kam lindur dhe rritur në rajonin e Zhytomyrit. Më 8 mars, aeroplanët rusë sulmuan Malynin, një qytet afër Zhytomyrit. Si pasojë e një prej sulmeve ajrore, u vra një familje pesanëtarëshe, së bashku me një fëmijë të vogël”.

Lexo po ashtu Zinchenkon e stopon vajza e tij që të shkojë në luftën përballë rusëve

“Edhe unë kam një vajzë të vogël. Më thyhet zemra kur mendoj se sa fëmijë të moshës së saj po vdesin tani dhe sa të tjerë do të jenë viktima të luftës. Më shumë se 140 fëmijë kanë vdekur deri më tani dhe ky numër do të rritet nëse askush nuk e ndal këtë pushtim”.

“Ju përgjërohem, flisni me zë të lartë. Mos heshtni derisa fëmijë të vegjël po vdesin çdo ditë. Ju lutem na ndihmoni me fjalët dhe mbështetjen tuaj. Ta ndalojmë Putinin. T’i shpëtojmë fëmijët ukrainas”, ka thënë mes tjerash Zinchenko në publikimin e tij. /Telegrafi/