Site icon Telegrafi

A duhet të shqetësohemi për ndjenjat e inteligjencës artificiale?

Ilustrimi (nga Andy Carter / FT)

Nga: Anjana Ahuja / The Financial Times
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Të shumtën e herëve, si rrezik ekzistencial për Homo Sapiensin trajtohet debati nëse inteligjenca artificiale do të arrijë apo do të tejkalojë inteligjencën njerëzore. Fjala është për një ushtri robotësh që rebelohet, në stilin e Frankensteinit, dhe sulmon krijuesit e vet. Sistemet autonome të inteligjencës artificiale [AI] që menaxhojnë në heshtje çështjet qeveritare dhe të korporatave, llogaritin se një ditë bota do të funksiononte më mirë nëse njerëzit përjashtohen nga proceset.

Po ashtu nga Anjana Ahuja:
Inteligjenca gjeneruese Artificiale po i mbjell farat e dyshimit në shkencën serioze
A është boti i AI-së që t’i fiton një milion dollarë, Testi i radhës i Turingut?

Sot, filozofët dhe studiuesit e inteligjencës artificiale po pyesin: a do të zhvillojnë këto makina aftësinë për të ndier mërzi apo dhembje? Në shtator, kompania e IA-së, Anthropic, emëroi një studiues për “mirëqenien e IA-së”, për të vlerësuar, ndër të tjera, nëse sistemet e tij po i afrohen ndërgjegjes ose brengës dhe, nëse po, a duhet të merret parasysh mirëqenia e tyre. Javën e kaluar, një grup ndërkombëtar studiuesish publikoi një raport mbi këtë çështje. Sipas tyre, zhvillimi i shpejtë teknologjik krijon një “mundësi reale që disa sisteme të IA-së të jenë të vetëdijshme dhe/ose të kenë brenga të forta, duke u bërë kështu moralisht të rëndësishme në të ardhmen e afërt”.

Ideja e shqetësimit për “ndjenjat” e AI-së mund të duket e çuditshme, por zbulon një paradoks në thelbin e garës për IA: kompanitë po garojnë për të krijuar sisteme artificiale që janë më inteligjente dhe më të ngjashme me ne, ndërsa në të njëjtën kohë shqetësohen që këto sisteme do të bëhen tepër inteligjente dhe tepër të ngjashme me ne. Duke qenë se nuk e kuptojmë plotësisht se si lind ndërgjegjja apo ndjesia për veten në trurin njerëzor, nuk mund të jemi plotësisht të sigurt se ajo nuk do të shfaqet kurrë në sistemet artificiale. Ajo që duket e jashtëzakonshme, duke pasur parasysh ndikimet e thella që mund të ketë për specien tonë krijimi i “mendjeve” digjitale, është se nuk ka më shumë mbikëqyrje të jashtme për drejtimin që po marrin këto sisteme.

Raporti me titullin Të marrim seriozisht mirëqenien e IA-së është shkruar nga studiuesit e Eleos AI-së, një institut që heton “ndjeshmërinë dhe mirëqenien e IA-së”, së bashku me disa autorë të tjerë të njohur, si filozofi David Chalmers nga Universiteti i Nju-Jorkut, i cili argumenton se botët virtuale janë botë të vërteta, dhe studiuesi Jonathan Birch nga Shkolla Ekonomike e Londrës (LSE), libri i fundit i të cilit, Kufiri i ndjeshmërisë [The Edge of Sentience], ofron një kornizë për të menduar rreth mendjeve të kafshëve dhe të IA-së.

Raporti nuk pretendon se ndjeshmëria (aftësia për të pasur ndjesi si dhimbja) apo ndërgjegjja e IA-së është e mundshme ose e afërt, por vetëm se “ka pasiguri të madhe për këto mundësi”. Ata bëjnë paralele me injorancën tonë historike mbi statusin moral të kafshëve jonjerëzore, gjë që mundësoi fermat industriale; vetëm në vitin 2022, me ndihmën e punës së Birchit, gaforret, karavidhet dhe oktapodët u mbrojtën sipas Aktit të Mirëqenies së Kafshëve (Ndjeshmëria) në Mbretërinë e Bashkuar.

Ata paralajmërojnë se intuita njerëzore është një udhëzues i dobët: specia jonë është e prirur si ndaj antropomorfizmit që ua atribuon cilësitë njerëzore jonjerëzorëve që nuk i kanë ato, ashtu edhe ndaj antropodenializmit që ua mohon cilësitë njerëzore jonjerëzorëve që ato i kanë.

Raporti rekomandon që kompanitë ta trajtojnë seriozisht çështjen e mirëqenies së IA-së; që studiuesit të gjejnë mënyra për të hetuar ndërgjegjen e IA-së, duke ndjekur shembullin e shkencëtarëve që studiojnë kafshët jonjerëzore; dhe që politikëbërësit të fillojnë të konsiderojnë idenë e një IA-je të ndjeshme ose të vetëdijshme, madje të mbledhin asambletë qytetare për të eksploruar këto çështje.

Këto argumente kanë gjetur mbështetje në komunitetin e kërkimeve tradicionale. “Mendoj se nuk ka shumë gjasa për ndërgjegje të vërtetë artificiale, por kjo nuk është e pamundur”, thotë Anil Seth, profesor i neuroshkencës kognitive dhe llogaritëse në Universitetin e Saseksit dhe studiues i njohur i ndërgjegjes. Ai beson se ndjenja jonë për veten është e lidhur me biologjinë tonë dhe është më shumë se thjesht një llogaritje.

Por, nëse ai e ka gabim, siç pranon se mund të ketë, pasojat mund të jenë të mëdha: “Krijimi i një IA-je të ndërgjegjshme do të paraqiste një katastrofë etike, pasi kështu do të fusnim në botë format e reja të subjekteve morale dhe – potencialisht, në shkallë industriale – forma të reja vuajtjesh”. Askush, shton Sethi, nuk duhet të përpiqet të ndërtojë makina të tilla.

Iluzioni i ndërgjegjes duket si një shqetësim më i afërt. Në vitin 2022, një inxhinier i Google-it u pushua nga puna pasi tha se besonte që çatboti i IA-së i kompanisë shfaqte shenja ndjeshmërie. Anthropic-u ka qenë duke “trajnuar karakterin” e modelit të saj të madh gjuhësor për t’i dhënë tipare të të menduarit.

Ndërsa gjithnjë e më shumë makinat, dhe veçanërisht modelet e mëdha gjuhësore (LLM), krijohen për t’u bërë më të ngjashme me njerëzit, rrezikojmë të mashtrohemi në shkallë të gjerë nga ato kompani që kanë pak kufizime dhe kontrolle. Rrezikojmë të brengosemi për makinat që nuk mund të na përgjigjen, duke devijuar burimet tona të kufizuara morale nga marrëdhëniet që kanë rëndësi. Intuita ime e papërsosur njerëzore shqetësohet më pak për mendjet e IA-së që fitojnë aftësinë për të ndier – dhe më shumë për mendjet njerëzore që humbasin aftësinë për t’u brengosur. /Telegrafi/

Exit mobile version