Nga: Victor Mallet / The Financial Times
Bisedë me drejtoreshën e Muzeut të Luvrit, Laurence des Cars
Përkthimi: Telegrafi.com
Edhe në ditën kur muzeu është i mbyllur për vizitorët – e martë – oborri i madh i Pallatit të Luvrit, në Parisin qendror, është i mbushur me turistët që bëjnë selfi para piramidës së xhamit të [arkitektit] IM Peit, dhe shitësve që shesin Kullën e Ajfelit në miniaturë – të zbukuruar me drita vezulluese.
Por, Café Marly, një restorant francez i vendosur në mënyrë diskrete në katin përdhes të krahut Rishelie të Luvrit, është i hapur çdo ditë dhe këtu historiania 56-vjeçare e artit, Laurence des Cars – e emëruar nga presidenti Emmanuel Macron për ta drejtuar muzeun më të madh dhe më të vizituar në botë – ka zgjedhur të më takojë.
Nuk është zgjedhje shumë origjinale për një takim, mendoj unë, por u deshën gati dy vjet të negociatave delikate, duke filluar nga koha kur ende e drejtonte Muzeun Orse në anën tjetër të Senës, për ta bindur që të takohet me FT-në, kështu që pyes veten me ankth nëse do të shfaqet.
Nuk duhet të shqetësohem. Des Cars arriti fiks në orën 12:30 – Marly ka më shumë njerëz si një lloj i restorantit për stafin e Luvrit, që u ofron atyre një meny të drekës me çmim të ulët – dhe ka shumë për të thënë për vizionin e saj për rolin e muzeut në shoqëri, që përfshin dëmshpërblimin dhe nevojën për t’i kthyer, pa hezitim, veprat e gjetura të artit që janë vjedhur nga nazistët ose që janë kontrabanduar nga ish-kolonitë.
Në vitin 2021, ishte një zgjedhje e papritur nga Macroni, për të qenë ajo “presidente-drejtoreshë” e Luvrit, sepse paraardhësi i saj, Jean-Luc Martinez, pritej të fitonte mandatin e tretë – megjithëse tani ai është nën hetim zyrtar në Francë në një rast të trafikimit të dyshuar të antikiteteve (ai i mohon akuzat) për Luvrin e Abu Dabit.
Des Cars nuk e ka zhgënjyer. Pa bujë ajo tashmë ka nisur ndryshimet e mëdha në Luvër dhe ka plane për të bërë më shumë. Disa janë praktike, si projekti për një hyrje të re lindore për t’i lehtësuar radhët në hyrjen kryesore poshtë piramidës qendrore – për afro tetë milionë vizitorë që vijnë për çdo vit. Ndërkohë, si në heshtje ka vendosur një kufi prej 30 mijë vizitorëve në ditë. “Është vendim që në fakt e mora një vit më parë, por e bëra publik në fillim të këtij viti, sepse donim ta testonim propozimin gjatë kësaj vere kur kemi më shumë vizitorë”, thotë ajo. “Përndryshe, është shumë i mbushur me njerëz që të mund të shijojnë diçka”.
Ndryshimet tjera pasqyrojnë idetë e saj për atë që dëshiron të jetë muzeu i shekullin XXI. Po përpiqet të tërheq më shumë vendas në një vend me reputacion të vjetërsisë (shumica e vizitorëve janë turistë të huaj), të presë më shumë aktivitete muzikore (ajo është adhuruese e operës dhe e David Bowiet, por për këtë do të flasim më vonë) dhe tashmë e ka nisur departamentin e ri të nëntë për artin bizantin dhe të të krishterëve lindorë – që do të hapet deri në vitin 2025, duke e plotësuar kështu një boshllëk në mbulimin që bën muzeu – dhe duke e plotësuar departamentin 11-vjeçar të artit islam.
“Luvri duhet të flasë me të gjithë”, thotë ajo. “Duhet të bisedojë me 10 specialistët të këtij lloji të vazos greke. Dhe, duhet të flasë me fëmijët që vijnë nga periferia. Duhet të bisedojë me popullin japonez që të kthehen në Paris për t’i shijuar pushimet, me audiencën amerikane – vizitorët më të shumtë të huaj janë amerikanë. Duhet të flasë me të gjithë, sepse është për ta shijuar nga të gjithë”.
Pamjet nga Marly janë më spektakolare se ushqimi në drekën tonë, që paraqet atë që francezët mund ta përshkruajnë me përçmim si diçka korrekte – domethënë, në rregull është, por asgjë për të shkruar për të në shtëpi. Des Cars i tregon piramidat përpara saj dhe oborrin e mbyllur pas që shfaq statujat, përfshirë këtu Kuajt e famshëm Marli të shekullit XVIII, nga Guillaume Coustou i Vjetri, teksa një stacion televiziv përfitonte nga mungesa e vizitorëve – gjatë të martës – për ta filmuar një recital të muzikës klasike.
Pyetja ime e parë ka të bëjë me detyrën e vështirë të drejtimit të perandorisë së saj të re: vetëm pallati i ka 403 dhoma, tri kilometra fasadë dhe rreth 2300 njerëz në staf, dhe Luvri gjithashtu mbikëqyr Kopshtet Tilerije që shkojnë deri te Sheshi Konkord, si dhe Muzeun Delakroa në Bregun e Majtë, një degë të Luvrit në Lens të Francës veriore dhe një lokacion tjetër fitimprurës në Abu Dabi – për krijimin e të cilit Des Cars ka ndihmuar.
Duke folur me një anglishte thuajse pa të meta, nuk e pranon fjalën “perandori”, por pajtohet se kurrë nuk do të priste se do ta drejtojë institucionin kryesor të botës së artit në Francë – në kohën kur ishte historiane e re e artit, e specializuar për shekullin XIX dhe për Para-Rafaelitët (“Gjithmonë kam qenë e interesuar për gjithçka që është britanike në art. Kjo paraqet një kuriozitet mes kuratorëve francezë”).
“Nuk është muze si çdo tjetër”, thotë ajo. “Me të vërtetë është diçka që është në qendër të historisë franceze dhe të historisë së muzeve. Dhe, ka jehonë të menjëhershme në të gjithë vendin, por edhe në aspektin ndërkombëtar”.
Secili prej nesh kemi zgjedhur ushqime të sigurta dhe të besueshme – për fillim neme vietnameze për të, dhe bishtaja me kërpudha për mua, e më pas salmon të pjekur në skarë për të dy – dhe unë kam pranuar, pa ndonjë kundërshtim të madh, vendimin e saj që të mos kemi verë. Pra, e fillojmë vaktin me ankesat tradicionale parisiene për mënyrën sesi zakonet kanë ndryshuar – që nga drekat katër-orëshe të mbushura me verë, në dekadat e mëparshme. “Në fakt, e adoptuam mënyrën amerikane të jetesës”, thotë Des Cars me buzëqeshje simpatike.
Pyes nëse Luvri, që u bë muze në 1793, është muzeu më i vjetër dhe më i madh në vend.
“Mund të debatoni për këtë, por padyshim është ai që vërtetë e filloi krijimin e muzeve në shekullin XIX”, thotë ajo. “U hap gjatë revolucionit, gjë që e vë theksin te lidhja e tij me historinë franceze. Më parë, për shumë shekuj ishte rezidencë mbretërore, dhe më pas ndryshoi me Luixhin XIV që shkoi në Versajë … Më pas, gjatë revolucionit, u shndërrua në një muze që i jepte qasje publikut në koleksionin e dikurshëm mbretëror. Është gjithashtu një vend shumë politik, në kuptimin më fisnik të fjalës. Dhe, unë mendoj se kushdo që e drejton Luvrin e di këtë dhe duhet të jetojë me këtë, sepse është diçka me të cilën ndoshta drejtorët e muzeut mund të mos ndihen rehat”.
Pse politike dhe pse e pakëndshme? “Ka këtë status të veçantë, në mendjen e të gjithëve. I përket shtetit francez, koleksioni i përket shtetit dhe kombinimi i së kaluarës mbretërore dhe realiteti republikan i një muzeu është diçka jashtëzakonisht e fortë dhe është bërë disi simbol i Parisit, e ndonjëherë simbol i Francës. Nuk mund të shkoni kundër kësaj dhe të thoni: ‘Jemi thjesht muze i Mjeshtërve të Vjetër, si çdo tjetër’. Është gjithashtu një ide, është vizion, është diçka që është ende e gjallë, duke e rishpikur veten gjatë gjithë kohës me kapituj të ndryshëm të historisë së saj”.
Si drejtoreshë që mbikëqyri ekspozitën novatore të vitit 2019 në Muzeun Orse, Modelet e zeza: Nga Géricault te Matisse, Des Cars shihet gjithashtu si personi i duhur për t’i modernizuar – për publikun – ofertat e Luvrit dhe për ta lidhur muzeun me debatet bashkëkohore rreth diversitetit, kulturës, rikthimit të plaçkës koloniale, madje edhe të ndryshimeve klimatike.
“Dëshiroj që Luvri të jetë, përsëri, një vend emocionues sa i përket programimit kulturor, ku mund të përjetoni diçka që është shumë e rrallë – këtë perspektivë të gjatë që koleksioni mund t’jua japë”, thotë ajo. “Kemi objekte që datojnë nga 9000 vjet më parë. Dhe, kemi intensitet fantastik … Është mundësia për t’i hapur mendjet dhe zemrat ndaj diversitetit dhe bukurisë së botës, diversitetit të historisë. Jam avokate e madhe e këtij vokacioni universal të një muzeu. Por, mendoj se duhet të dëgjoni edhe atë që audienca jua thotë sot për këtë, dhe pyetjet që ata kanë për koleksionet, legjitimitetin, origjinën e tyre, faktin se disa pyetje kurrë më parë nuk janë adresuar”.
Des Cars nuk i shmanget problemeve bashkëkohore, qofshin ato luftërat kulturore apo luftërat aktuale. Udhëtoi në Kiev në fillim të këtij viti, bashkë me ministrin francez të Kulturës, dhe Luvri po ndihmon në ruajtjen e koleksioneve në Irak dhe në Liban, si dhe në Ukrainë gjatë sulmit rus. Departamentet e antikiteteve të muzeut kanë përvojë të gjerë arkeologjike dhe koleksione nga Lindja e Mesme, prandaj janë në kontakt me disa nga pikat më problematike të botës.
“Keni të bëni me çështjet shumë të thella, që ju lidhin me historinë e lashtë, me qytetërimin e lashtë, me shumë gjuhë, me shumë kujtime të botës dhe të njeriut. Mendoj se në një botë ku sot gjërat janë shumë komplekse dhe mjaft dramatike, ne kemi nevojë për vendet ku mund të kënaqemi, të kemi shpresë, por edhe të përballemi me bukurinë, me çështjet e mëdha si vdekja”, thotë Des Cars. “Vdekja është çështje e madhe për koleksionet e Luvrit”.
Ndër ngjarjet e planifikuara për të ardhmen janë ekspozita për thesaret e artit të Notre-Damit, për këtë vjeshtë, për të festuar rihapjen e ardhshme të katedrales – pas zjarrit të prillit 2019 që ia shkatërroi çatinë. Gjithashtu është planifikuar një ekspozitë për figurën e palaços në art – mendoni për veprën Pierrot nga Jean-Antoine Watteau, që gjithashtu njihet si Gilles e që është në pronësi të Luvrit – si dhe bashkëpunimi Napoli në Paris në gjysmën e dytë të këtij viti – me Muzeun Kapodimonte të qytetit italian. Dhe, një ekspozitë e mermerëve nga koleksioni Torlonia i Romës.
Kur përmend se izolimet e pandemisë dhe kufizimet e udhëtimit më kanë bërë adhurues të skulpturave të shumta – në distancat që kalohen në këmbë në qendër të Parisit – Des Cars përmend një projekt për vitin 2026 të koduar si Rodin-Michelangelo që do të shkojë deri te Joseph Beuys dhe Bruce Nauman, se si skulptorët modernë janë kthyer te Rilindja dhe te veprat si Skllevërit e Michelangelos që gjendet në Luvër.
“Është pjesë e një serie të ekspozitave që dua t’i kushtoj ‘Luvrit si model’, për të na kujtuar se në shekullin XIX, në shekullin XX dhe sot, artistët vijnë në Luvër për t’u frymëzuar”, thotë ajo. Asaj i pëlqen të citojë fjalët e thëna nga Paul Cézanne se “Luvri është libri në të cilin ne mësojmë të lexojmë” dhe vëren se ekspozita Manet/Degas (të cilën ajo e ka kuruar – “ndoshta një nga gjërat më të mira që kam bërë” – dhe ekspozitat në Muzeun Orse në korrik) përfshin kopjet e dy piktorëve të veprave më të famshme në Luvër.
I themi kamerierit se do ta anashkalojmë ëmbëlsirën – ajo zgjodhi një çaj të gjelbër dhe unë një kafe – ndërsa ajo shpjegon se sa shumë e do muzikën dhe filmin dhe se beson, sipas stilit të Baudelaireit, për nevojën për një korrespodencë midis zhanreve të ndryshme të artit. Një natë më parë ajo ka parë operën moderne të John Adamsit, Niksoni në Kinë, por unë mezi prisja ta pyes nëse është e vërtetë se është adhuruese e David Bowiet. Është. Ajo është haptazi xheloze për Muzeun V&A të Londrës, të cilit në shkurt i është dhuruar arkivi i Bowiet.
“E dija, si shumë e vogël, si adoleshente, se do të merresha me artin, por isha adhuruese e madhe e filmit … Doja të bëhesha regjisore e filmave ose të shkruaja për filmat, e për një kohë doja të shkoja në Femis, në shkollën e famshme [të filmit]”. Ajo është, gjithashtu, siç thotë, “adhuruese e madhe e [Stanley] Kubrickut”, një sinjal për t’i thënë asaj se filmi im i preferuar është kryevepra e katastrofës bërthamore e Luftës së Ftohtë e Kubrickut, Dr Strangelove, të cilën e rishikova sapo Donald Trump u bë president i ShBA-së. “Është ende shumë i saktë”, thotë ajo me buzëqeshje, “dhe shumë i frikshëm” si dhe qesharak.
Me origjinë aristokratike, ndryshe nga paraardhësi i saj Martinez që ishte djali i një roje dhe postieri, Des Cars vendosi më në fund të studionte jo filmin, por historinë e artit në Sorbonë dhe në Shkollën e Luvrit.
“Babai im ishte gazetar dhe historian, i interesuar për shekullin XIX. Pra, e shihni, është një psikanalizë serioze”, tallet ajo. “Nëse nuk do të kisha shkuar në kështjellat e Ludvigut II në Bavari, kur isha tetë vjeçe – dhe jetoja dhe ende jetoj në Paris në një lagje të ndërtuar nga [Georges-Eugène] Haussmanni – ndoshta disa gjëra do të kishin qenë ndryshe”.
Gjyshi i saj, Guy des Cars, ishte autor bestseller, i cili u tall me nofkën si “Guy des Gares” – sipas stacioneve hekurudhore ku ai shiti aq shumë libra. Nëna e saj, “një mesdhetare e vërtetë”, ka lindur në Kartagjenë: “Mendoj se dashuria ime për antikitetin duhet të ketë ardhur nga kjo, nga udhëtimet që bëmë së bashku”.
Para se të largohemi dhe para se ta paguaj faturën, e pyes për një nga çështjet më të vështira për muzetë e botës sot: dëmshpërblimin.
Në fund të fundit, vendimi nëse do të kthehet një vepër arti varet nga pronari – në këtë rast shteti francez – e jo muzeu që e strehon atë, por Des Cars thotë se nuk ka asgjë çfarë të debatohet për nevojën për t’i kthyer pikturat e vjedhura, përfshirë këtu Gustav Klimtin që pranoi ta kthejë nga Muzeu Orse te trashëgimtarët e një gruaje hebraike që e humbi atë nga nazistët në Austri dhe që vdiq në Holokaust.
E njëjta gjë vlen edhe për antikitetet që dalin të jenë të trafikuara, edhe pse nuk mund të komentojë për çështjen e Abu Dabit sepse Luvri i është bashkuar çështjes si një nga palët e dëmtuara. Dhe, e pyes nëse Luvri është nën presion për t’i kthyer statujat klasike të sekuestruara nga Napoleoni nga Italia, siç bëri Muzeu Britanik me Mermerët e Partenonit të marra nga Greqia? “Jo, jo, sepse [çështja] Napoleoni është zgjidhur me traktate në fund të perandorisë në vitin 1815”.
Des Cars thotë se i përket “ndoshta një prej gjeneratave të para të kuratoreve që nuk e ka absolutisht asnjë problem kur bëhet fjalë për kthimin – kur diçka aty gjendet si pjesë e një gabimi”. Ajo shton: “Kjo është ajo që duhet të bëjmë. Janë blerje të mëdha, janë kthime të mëdha … E kuptoj dhe e respektoj siç duhet zemërimin, zhgënjimin. Franca ka një të kaluar koloniale dhe ne duhet ta pranojmë këtë. Duhet të përballemi me të gjitha pikat e errëta të historisë sonë”.
Kjo më shtyu të kthehem të nesërmen në Luvër, për t’i parë koleksionet e ishujve të Afrikës dhe të Paqësorit. Ato janë më pak të njohura nga turmat sesa Mona Liza, Venera e Milos ose galeria e madhe 450 metra me pikturat spanjolle dhe italiane (Des Cars nuk bëri shaka kur parashikoi se kufiri i saj ditor me 30 mijë për vizitorët do të arrihej çdo ditë – nga tash e deri në shtator), por ma kujtojnë këmbënguljen e saj për mesazhin universal të muzeve.
Në kohë të trazuara, Des Cars dëshiron që arti afrikan të shihet në Nju-Jork, Stokholm, Tokio ose Paris, dhe në mënyrë të ngjashme që impresionistët francezë të shihen jashtë vendit, “sepse është gjë e mrekullueshme të jesh në gjendje të zbulosh qytetërimet, kulturat dhe të hapësh mendjet e njerëzve edhe ndaj diversitetit të historisë”.
Ajo është krenare që ka blerë veprat e para të artit afrikan për Luvrin në Abu Dabi dhe që ka shfaqur Tevratin hebraik të Jemenit, së bashku me tekstet kuranore dhe të krishtera. “Mendoj se është shumë e rëndësishme, sepse thua diçka për tolerancën, për njohjen”, thotë ajo përpara se të ndahemi. “Dhe, bota ka nevojë paksa për mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë”. /Telegrafi/