Ylli në ngritje, Dua Lipa, ka treguar se sa është frymëzuar nga babai i saj – një këngëtar i muzikës rok nga atdheu i saj, Kosova. Kështu e nis tregimin Evening Standard duke komentuar intervistën e këngëtares së famshme shqiptare për Hunger, revistë për të cilën ajo edhe ka pozuar.
Më tej flitet për suksesin e 21-vjeçares, albumin në pritje dhe jetën e saj. Ka lindur në Londër nga prindër shqiptarë, të cilët migruan në vitet e nëntëdhjeta. Ajo ndoqi ‘Sylvia Young Theatre School’, para se të kthehej në Kosovë si tinejxhere, për t’u zhvendosur pastaj sërish në Londër për të ndjekur karrierën muzikore – vazhdon tregimi, transmeton Telegrafi.
“Babai im (Dukagjin Lipa) është një muzikant nga Kosova, prandaj jam rritur me muzikë në shtëpi. Qofshin këngët e babait tim ose të Sting, David Bowie, Stereophonics. Por, albumet e para me të cilët rashë në dashuri ishin “Whoa, Nelly!” nga Nelly Furtado dhe “Missundaztood” nga Pink, kur isha rreth gjashtë vjeçe. Ato ishin pjesë ndikuese të jetës sime dhe akoma u referohem atyre kur shkoj në studio”, ka treguar Dua.
Krijuesja e hitit “Blow Your Mind”, e cila është nën ombrellën e Warner Music, është e njohur po ashtu dhe për stilin e saj të modës.
“Gjithmonë më ka pëlqyer të vishem dhe të shpreh veten përmes rrobave. Madje edhe në shkollë, gjithmonë më ka pëlqyer të jem paksa ndryshe . Tash e kam mundësinë ta shpreh veten në skenë dhe vendet e ndryshme më frymëzojnë për rroba të ndryshme”, ka shtuar ajo.
Dua më tej thotë se tekstet e këngëve nuk janë reflektim i personalitetit të saj. “Pjesa më e madhe e frymëzimit tim vjen nga pikëllimi, sepse është emocioni që më qëndron thellë në mendje dhe është mënyra më e lehtë për t’i nxjerrë gjërat përmes muzikës”.
“Është një qëndrim që shfaqet në muzikë, por unë jam e këndshme kur takohem me njerëz, gjë që dallon nga muzika”, është shprehur Dua. /Telegrafi/