Telegrafi

“Dua të jem ushtar i tij” – Douglas Costa zbulon planet për klubin e ardhshëm pas largimit nga LA Galaxy

Douglas Costa i është lutur sërish publikisht Juventusit që të nënshkruajë përsëri me të, duke thënë se ai dëshiron të jetë një nga ‘ushtarët’ e Massimiliano Allegrit.

Për herë të dytë këtë javë, anësori brazilian ka bërë një thirrje publike ‘eja dhe më merr’ për ish-klubin e tij.

Costa aktualisht është një lojtar i lirë pasi u largua nga LA Galaxy pas dy sezonesh, një vit para se kontrata e tij të skadonte.

Në një intervistë ekskluzive të ngarkuar në rrjetet sociale nga gazetari Fabrizio Romano, Costa tha: “Dëshira ime është plotësisht të kthehem te Juve, të ndihmoj dhe të luftoj me të gjithë lojtarët. Për ta sjellë Juventusin në nivelin që klubi meriton”.

“Agjenti im është në kontakt me të gjitha klubet që tregojnë interes, përfshirë Juventusin. Do të doja të kisha sërish këtë ndjenjë [duke luajtur para tifozëve të Juventusit], këtë pasion”.

“Shpresoj se do të jemi së bashku së shpejti, për të luftuar së bashku për ëndrrat tona. Besoj se ky ekip nën kontrollin e Allegrit mund të luftojë për gjithçka dhe unë dua të jem një nga ushtarët e tij për të fituar të gjitha”, përfundoi braziliani.

Costa ishte një anëtar kyç i skuadrës së Juventusit që fitoi tre tituj të Serie A midis 2017 dhe 2020. Më pas ai shkoi në një seri lëvizjesh huazimi te Bayern Munich, Gremio dhe LA Galaxy përpara se të largohej nga klubi përgjithmonë në vitin 2022.

33-vjeçari Costa nuk është më në kulmin e formës dhe koha e tij në Los Anxhelos do të mbahet mend për paraqitjet e dobëta dhe disa probleme jashtë fushës.

Juventusi ka treguar pak interes për ish-sulmuesin e tyre, kështu që mbetet për t’u parë nëse ata do t’i përgjigjen thirrjes së tij./Telegrafi/