Telegrafi

Dua Lipa do të performojë në “Brit Awards 2019”

Dua Lipa (Foto: John Phillips/Getty Images/Guliver)

Mbrëmja e madhe e ndarjes së çmimeve “Brit Awards”, do të mbahet më datë 20 shkurt (e mërkurë), në “The O2 Arena”, në Londër.

Pjesë e kësaj mbrëmje do të jenë emra të shumtë, gjersa nuk do të mungojnë edhe këngëtaret shqiptare me famë botërore, Dua Lipa dhe Rita Ora.

Që të dyja vajzat shqiptare janë të nominuara dhe presin të fitojnë një nga çmimet e mbrëmjes.

Ndër të tjerash, Dua Lipa do të jetë ajo e cila do të dhurojë edhe një performancë spektakolare për të pranishmit.

Dua Lipa vitin e kaluar në “Brit Awards” (Foto: John Phillips/Getty Images/Guliver)

Këtë gjë ajo e ka konfirmuar edhe përmes një postimi të bërë së fundmi në rrjetin social Instagram, ku ka konfirmuar se do të ngjitet në skenën e “brit Awards” bashkë me emrat e mëdhenj si Calvin Harris, Rag’n’Bone Man dhe Sam Smith.

E njëjta gjendet katër herë e nominuar për dy çmime: atë për “Këngën më të mirë”, ku garon me këngët “IDGAF” dhe “One kiss” (bashkëpunim me Calvin Harris”, dhe për çmimin “Videoja më e mirë muzikore”, ku garon me po të njëjtat projekte.

Dua vitin e kaluar bëri histori duke u bërë femra e parë që u nominua në gjithsej pesë kategori, dhe triumfoi në dy prej tyre.

Dua Lipa vitin e kaluar fitoi dy çmime në “Brit Awards” (Foto: Gareth Cattermole/Getty Images/Guliver)

Ajo fitoi çmimet “Femra më e mirë si solo artiste” dhe “Debutimi më i mirë i vitit”, gjersa edhe interpretoi ‘live’ hitin e saj “New Rules”.

Ndërsa Rita, gjendet e nominuar për çmimin “Videoja më e mirë”, dhe garon me klipet “Let you love me” dhe “For You” (bashkëpunim me Liam Payne). /Telegrafi/

Rita Ora vitin e kaluar në “Brit Awards” (Foto: John Phillips/Getty Images/Guliver)