Më datë 4 nëntor do të mbahet mbrëmja e madhe e ndarjes së çmimeve “MTV European Music Awards”.
Ky spektakël, i cili vitin e kaluar u prezantua nga shqiptarja e famshme Rita Ora, këtë vit pritet të sjellë në skenë shumë emra të tjerë.
Mbrëmja do të mbahet në qendrën “Bilbao Exhibition”, në Spanjë, me nikoqir Hailee Steinfeld.
Si çdo vit tjetër, edhe këtë herë MTV EMA ka nominuar shumë artistë, të cilët do t’i shpërblejë me çmime, e ndërsa nuk do të mungojnë edhe performanca të shumta nga emra të njohur.
Artistja më e nominuar këtë vit në MTV EMA është Camila Cabello, me gjithsej gjashtë nominime.
Keq nuk mbesin as artistet shqiptare me famë botërore, të cilat edhe këtë vit kanë arritur të nominohen në disa kategori.
Fjala është për Bebe Rexhën dhe Dua Lipën.
Bebe Rexha është ajo e cila është nominuar në një prej kategorive më kryesore, atë të “Kënga më e mirë e vitit”, për këngën “Meant to be”, në bashkëpunim me Florida Georgia Line.
Ndërkohë, artistja tjetër e famshme, Dua Lipa, është e nominuar gjithsej në katër kategori: “Artistja më e mirë e vitit”, “Këngëtarja më e mirë e vitit në zhanrin Pop”, “Artistja më e mirë brtanike/irlandeze”, dhe “Dukja më e mirë e vitit”.
Duek qenë një kompeticion evropian, fansat shqiptarë kanë mundësinë që të votojnë për dy këngëtaret bukuroshe, duke klikuar në faqen zyrtare të MTV EMA.
Ato ishin të nominuara edhe në “American Music Awards” dhe “MTV Video Music Awards” në Amerikë, por nuk arritën që të rrëmbejnë asnjë çmim.
E vetmja shqiptare që u shpërblye me çmim ishte Rita Ora, e cila në “MTV Video Music Awards” mori çmimin “Kënga më e mirë ritmike”, për këngën “Lonely together” në bashkëpunim me të ndjerin Avicii. /Telegrafi/