E përditshmja angleze Daily Mail shkruan se këngëtarja shqiptare, Dua Lipa, do të jetë ylli i kësaj vere, ndërsa ka cekur sukseset e saj të deritanishme.
“Ajo ishte në mesin e talenteve më të mira për vitin 2016 në çmimin prestigjioz të BBC ‘Sound of 2016’ falë thjeshtësisë së saj, zërit dhe muzikës pop të kënduar nga ajo e të ndikuar nga hip-hopi. Tani Dua Lipa, ashtu si Rita Ora që ka prindër shqiptarë, ka tërhequr vëmendje të madhe”, shkruan Daily Mail, transmeton koha.net.
Në këtë shkrim më tutje thuhet se 20-vjeçarja ka bërë një depërtim të fuqishëm në industrinë e muzikës.
Ajo në moshën 14 vjeçare kishte filluar të bënte ‘cover’ këngët e Nelly Furtados. Kur familja e saj u kthye në Kosovë, ajo u rikthye në Londër për të ndjekur ëndrrën e saj për muzikë. Ndërsa në moshën 17 vjeçare talentin e saj e kishte vërejtur menaxhmenti i këngëtares Lana Del Rey, të cilët nënshkruan kontratë me të, për të vazhduar më pas marrëveshja edhe me menaxhmentin e Next Model, dhe prezantimi i koleksionit të veshjeve të dizajneres Stella McCartney.
“E tani, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje të rëndësishme muzikore, parashikojmë se kënga e saj e tretë ‘Last Dance’, do ta vendosë familjen e saj në qendër të vëmendjes”, thuhet më tej.