Telegrafi

Driton Kuka dhe Majlinda Kelmendi ndërmarrin hapa konkretë për keqpërdorimin e emrit të kampiones olimpike

Trajneri i Përfaqësueses së Kosovës në xhudo, Driton Kuka, së bashku me xhudistin e njohur Majlinda Kelmendi, kanë takuar sot avokat e njohur Arianit Koci.

Takimi ka të bëjë me keqpërdorimin e emrit të fitueses së medaljes së artë olimpike, Majlinda Kelmendi, nëpër rrjetet sociale.

“Me avokatin Arianit Koci për keqpërdorimet e emrit të Majlindës nëpër rrjete sociale! Së shpejti do ketë rezultate në këtë drejtim!”, ka shkruar Kuka në facebook.

Kjo po ndodh pas në javën e shkuar, një faqe në facebook në emrin e Majlinda Kelmendit kishte bërë postime në lidhje se “Majlinda Kelmendit i është kërkuar që të mposhtet nga xhudiste serbe”.

Kështu u raportua të ketë thënë Majlinda Kelmendi, duke iu referuar një faqeje në Facebook në emër të kampiones sonë olimpike.

Lexo po ashtu Keqpërdoret emri i Majlinda Kelmendit, Driton Kuka kërkon ndërhyrjen e policisë kibernetike

Për këtë lajm që bërë bujë në shumë media vendore kishte reaguar edhe trajneri i saj Kuka.

“Majlinda s’ka Facebook, as Instagram as asnjë rrjet tjetër social! Miq të nderuar, media por edhe organet e policisë për krime kibernetike mundësisht të parandalohen matrapazët e mashtruesit me emër të Majlindës! Ju lutem që ky status të publikohet dhe të luftohet kjo dukuri në emër të Kampiones tonë!!!”.

Majlinda Kelmendi me medaljen e artë olimpike

“Mediat sidomos elektronike të gjitha e dinë që Majlinda s’ka fb prandaj lajmi i dhënë prej disa portaleve është jo korrekt dhe për përfitime të ulëta!”, ka shkruar trajneri i xhudos, Kuka.

Tashmë me angazhimin e avokatit Koci, pritet që të ndërmerren hapa adekuat në ndalimin e këtyre postimeve nga persona të paautorizuar. /Telegrafi/