Site icon Telegrafi

Dreshaj pas darkës Kurti-Krasniqi: LVV e PDK do të hyjnë në koalicion paszgjedhor

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka deklaruar se pas takimit të fundit në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kreut të PDK-së, Memli Krasniqi, të njëjtit janë dakorduar për zgjedhje të parakohshme dhe shpërbërje të Kuvendit.

Dreshaj ka thënë se dy partitë, LVV-ja dhe PDK-ja do të hynë në koalicion pas zgjedhjeve.

“Nëse shkojmë në zgjedhje do të kemi struktura të reja që do ta menaxhojnë vendin në vitet e ardhshme… Në qeveri, shumëçka është sqaruar këto ditët e fundit pra po shihen gjasat kush me kë ka mundësi me hy në koalicion. [Koalicion PDK – VV] Unë po mendoj se ka shumëçka që është debatuar aty, nuk kam informacione të saktë, por gjasat reale janë që të jetë debatuar edhe mundësia e koalicionit paszgjedhor me PDK-në, e besoj këtë”, ka deklaruar ai në Tv Dukagjini.

Ai ka thënë se AAK-ja është e gatshme për zgjedhje, duke theksuar se opozita është e gatshme në tërësi, por ka shprehur dyshime për darkën e fundit Kurti-Krasniqi.

Po ashtu, Dreshaj ka potencuar se takimi ka pasur qëllime tjera dhe kjo, sipas tij, është parë sot me votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nga PDK-ja.

“Mendoj se ajo darkë ka qenë e dyshimtë me një agjendë të dyshimtë. Në esencë aty nuk është debatuar bazuar në qëllimin e ftesës, që ka qenë agjenda legjislative, e cila është çështje e Kuvendit ajo debatohet aty nuk debatohet në darka. Pra ajo darkë ka pasur qëllim krejt diçka tjetër dhe ajo u pa sot, realisht nëse del edhe diçka tjetër më vonë, por ajo çfarë u pa sot se ka një marrëveshje lidhur me mbështetjen e marrëveshjeve ndërkombëtare nga ana e PDK-së e cila më herët ka qenë kategorike kundër, pra ajo darkë ka pasur një agjendë krejt tjetër. Agjenda e saj ka qenë dakordimi për zgjedhje dhe shpërbërje të Kuvendit”, ka deklaruar ai.

Exit mobile version