Site icon Telegrafi

Drejtori sportiv i Barcelonës parashikon se ku do të shkojë Neymari pas Al-Hilalit

Neymar është lidhur me një largim të mundshëm nga Al-Hilali dhe drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, ka folur mbi atë se çfarë premton e ardhmja për brazilianin. 

Kontrata e Neymar tek Al-Hilal pritet të skadojë në fund të sezonit aktual dhe klubi arab nuk është i etur që ta vazhdojë bashkëpunimin me 32-vjeçarin. 

Për këtë arsye, ka pasur thashetheme se Neymar po konsideron mundësinë e rikthimit tek klubi i tij i fëmijërisë Santos në kategorinë e dytë të futbollit brazilian. 

Neymar gjithashtu ishte lidhur edhe me një rikthim të mundshëm tek Barcelona gjatë viteve dhe tashmë drejtori sportiv i blaugranasve Deco, ka parashikuar se ku mund të shkojë Neymar pas aventurës në Lindjen e Mesme. 

“Rikthimi i Neymar tek Barcelona nuk ishte asnjëherë i vërtetë. Që prej se ai u transferua në Arabinë Saudite, ne e dinim se ai ishte një lojtar mjaft i shtrenjtë, veçanërisht në aspektin e fair-play financiar”. 

“Gjëja më e rëndësishme është që Neymar të rikthehet të luajë futboll. Kjo do t’i sjellë gëzim atij dhe të tjerëve. Sinqerisht, nuk e di se çfarë do të bëjë, por gjëja më e rëndësishme është që ai të jetë i lumtur”, ka thënë Deco. 

Trajneri i Al-Hilal, Jorge Jesus, ka thënë se Neymar nuk do të regjistrohet për pjesën e dytë të sezonit në Superligën e Arabisë dhe do të jetë në gjendje të luajë vetëm në Ligën e Kampionëve të Azisë./Telegrafi/

Exit mobile version