Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka pritur në takim ambasadorin Amerikan në Kosovë, Phillip S. Kosnett.
Sipas një njoftimi, të dy morën pjesë në ceremoninë e fillimit të projektit trajnues që realizohet nga Zyra e Programit për Asistencë Kundër Terrorizmit (ATA).
Ky trajnim, në të cilin marrin pjesë përfaqësues nga Policia e Kosovës, Prokuroria dhe Gjykata, ka për qëllim rritjen e kapaciteteve për zbatues të ligjit në Kosovë, avancimin e zyrtarëve të PK-së në zhvillimin e aftësive teknike si dhe për të adresuar kërcënimet e lidhura me terrorizmin.
Me këtë rast Kosnett, vlerësoi që Ambasada amerikane është krenare që po bashkëpunon në këtë trajnim.
“Ambasada amerikane është krenare që po bashkëpunon në këtë trajnim dyditor, i cili ofron kornizën organizative të ligjeve dhe politikave për t’u marrë në konsideratë nga zyrtarët kur hetojnë apo gjykojnë terroristë. Kjo ngjarje është e rëndësishme për sundimin e ligjit dhe për sigurinë rajonale”, deklaroi ambasadori amerikan.
Kurse Qalaj në anën tjetër, deklaroi se institucionet e Kosovës synojnë respektimin e të drejtave të njeriut.
Ai u shpreh i bindur se Policia dhe ambasada amerikane, do të vazhdojnë thellimin e bashkëpunimit.
“Policia e Kosovës është përkrahur në vazhdimësi nga institucionet relevante të SHBA-ve, falë ndihmës, shkëmbimit të përvojave dhe praktikave, si dhe përkrahjes së vazhdueshme nga SHBA-të, Policia e Kosovës, në bashkëpunim edhe me institucionet tjera vendore ka arritur të mbrojë Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj nga aktet e terrorizmit, andaj për këtë ju jemi mirënjohës dhe falënderues SHBA-ve”, deklaroi Qalaj.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit si dhe në parandalimin dhe luftimin e të gjitha dukurive negative dhe krimit të organizuar në përgjithësi e veçanërisht në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, njofton Policia e Kosovës”, përfundoi ai. /Telegrafi/