Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në një konferencë për media të enjten ka paraqitur të arriturat e këtij institucioni për vitin 2023.
Para gazetarëve, Hoxha ka thënë se situata e sigurisë së Kosovës në përgjegjësi për gjatë këtij viti ka qenë e qetë, përveç në veri të vendi ku siguria ka qenë e brishtë për shkak të sulmeve nga grupeve kriminale e terroriste në atë pjesë, “të cilat kanë qenë të motivuara dhe orkestruara nga Republika e Serbisë”.
Drejtori i Policisë ka përmendur protestat e dhunshme në komunat veriore, ku janë sulmuar pjesëtarët e KFOR-it, gazetarët e qytetarët.
“Duke u ndalë në këtë konstatim po nxjerrim disa prej sulmeve dhe rasteve konkrete. Janë protestat dhe sulmet e dhunshme të grupeve kriminale që kanë ndodhur në katër komunat veriore me rastin e hyrjes së kryetarëve në objektet komunale, ku janë sulmuar policia, pjesëtarët e KFOR-it, gazetarët e qytetarët”.
“Ka disa sulme të kryera gjatë këtij viti nga shteti serb, që na kanë çuar deri në këtë konkludim. Protestat, sulmi ndaj KFOR-it, Policisë së Kosovës, gazetarëve, qytetarëve, kidnapimi i policëve nga strukturat e policisë serbe me 29 Maj, pastaj sulmi terrorist në fshatin Banjskë. Të gjithë e dimë betejën e Banjskës dhe suksesin e Policisë së Kosovës në ketë sulm”, ka thënë ai.
Hoxha ka përmendur edhe operacionet policore për hetimin e zbulimin e parave të falsifikuara, shpëlarje të parave dhe falsifikim të dokumenteve. /Telegrafi/