Site icon Telegrafi

Drejtori i Policisë: Në sulmin e mbrëmshëm janë përdorur rreth 15 deri në 20 kilogramë eksploziv

Policia e Kosovës ka thirrur konferencë të jashtëzakonshme për media, pas sulmit të mbrëmshëm në kanalin e Ibër Lepencit në Zubin Potok.

Në këtë konferencë kanë folur edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Hoxha, ka thënë se tri sulmet e fundit në veri janë kualifikuar si sulme terroriste që kanë pasur synim ta cenojnë sigurinë e Kosovës.

Lexo po ashtu Sulmet terroriste në veri, tetë të arrestuar dhe arsenal armatimi i konfiskuar

Ai ka shtuar se vetëm në gjashtë muajt e fundit janë evidentuar gjashtë raste të shpërthimeve, në komunat me shumicë serbe në veri të vendit.

Duke folur për sulmin e mbrëmshëm në Zubin Potok, ai tha se ka qenë nga një grup i mirë organizuar, të cilët kanë njohuri në përdorimin e mjeteve shpërthyese.

Mes tjerash, Hoxha tha  se në këtë sulm është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit, rreth 15 deri në 20 kilogramë.
‘’Më datën 29.11.2024, rasti i sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike të Republikës së Kosovës kishte për shënjestër kanalin e Ibër Lepencit i cili bënë furnizimin e ujit të pijshëm të disa komunave por edhe mbi të gjitha furnizimit të ujit të Termocentralit të Korporatës Energjetike (KEK)’’.

‘’Për realizimin e këtij sulmi terrorist në bazë të hetimit të vendit të ngjarjes dyshohet se është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit nga 15 deri në 20 kilogramë e cila ka qenë e vendosur me një çantë të zezë, e u aktivizua me detonatorë mekanik përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme si pasojë e këtij sulmi janë shkaktuar dëme të mëdha materiale në kanalet e Ibër Lepencit si pasojë është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm e duke rrezikuar edhe furnizimin me energji elektrike’’, ka thënë ndër të tjera Hoxha./Telegrafi/

Exit mobile version