Drejtori i Interit, Beppe Marotta ka folur rreth thashethemeve të fundit që po e lidhin klubin italian me një transferim të yllit të Barcelonës, Lionel Messi.
Emri i kapitenit të Barcelonës ka qenë shumë i përfolur ditëve të fundit për një largim të tij nga Camp Nou.
Ai është lidhur me një transferim të Serie A te skuadra e Interit, pasi raportohej se babai i tij ka blerë një shtëpi në Milano.
Megjithatë, zërat për një transferim të Messit në Giuseppe Meazza janë mohuar tashmë nga drejtuesit e Nerazzurrëve.
Është drejtori i përgjithshëm i Interit, Marotta, i cili këto zëra i ka cilësuar si fantazi e futbollit.
“Është fantazi e futbollit”, u përgjigj fillimisht Marotta për Sky Sport Italia.
“Ai sigurisht nuk është një nga objektivat tona dhe unë mendoj se është i interesuar të vazhdojë karrierën futbollistike në Barcelona”, përfundoi italiani. /Telegrafi/