Drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, në një intervistë për emisionin “EKONOMI” në Telegrafi.com, ka thënë se zyrtarët shtetëror serb, po e ndihmojnë kontrabandën në drejtim të Kosovës.
Berisha ka treguar se pas vendosje së taksës 100 për qind janë marr masat mbrojtëse ndaj Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.
“Deklarimet e tyre në një mënyrë e argumentojnë se zyrtarët shtetëror serb e ndihmojnë kontrabandën të behët në drejtim të Kosovës dhe vendeve tjera. Kjo është dëshmi shtesë se zyrtaret e tyre, qoftë të policisë kufitare dhe të patrullave që duhet t’i parandalojnë aktivitetet ilegale e kanë lehtësuar dhe e ndihmojnë vazhdimisht kontrabandën”, ka treguar drejtoi i Doganës, Bahri Berisha.
Ai ka thënë se nuk ka rritje të kontrabandës, pas vendosjes së taksës 100 për qind.
“Fillimisht duhet të themi se kur janë marr masat mbrojtëse ndaj këtyre dy vendeve, atëherë në tregun e Kosovës ka pasur stoqe të mallrave dhe mund të themi se ka pasur disa dhjetëra milionë euro. Ato mallra mund të jenë prezentë, të cilat varet sesa i kërkon konsumatori dhe e dyta për sa i përket çështjes së kontrabandës mund të themi se për sa i përket të dhënave tona apo edhe nëpërmjet rrugëve operative tregohet se nuk ka ndonjë rritje enorme të kontrabandës. Edhe në të kaluarën kemi pasur kontrabandë në pjesën e veriut. Ka disa mallra që shfrytëzojnë rrugët malore, janë sasi të vogla, zakonisht janë mallra që furnizohen dyqanet e vogla, në pjesën veriore kryesisht”, ka thënë ai.
Drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha ka sqaruar se grupet kriminale i shfrytëzojnë të gjitha rrugët për kontrabandë.
“Nuk dua të bëjë deklarime politike. Shifrat flasin se nuk është ajo mundësi të cilat importojnë mallra në tregun e Kosovës. Kemi kontrabandë edhe me pjesë të tjera të Kosovës dhe të gjitha grupet kriminale i shfrytëzojnë të gjitha rrugët. Vetëm në muajin janar kemi pasur rreth 70 zbulime të kontrabandës, ku diku 68 kanë qenë edhe në vitin e kaluar. Kemi pasur 5-6 raste me mauna të cilat kanë qenë kryesisht pije të cilat kanë tentuar të kontrabandohen”, ka thënë Berisha. /Telegrafi/