Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi tha sot se në Burgun e Dubravës ka kontrabandë dhe nepotizëm.
Thaçi, duke raportuar në Komisionin për Legjislacion lidhur me gjendjen e institucioneve korrektuese në Kosovë, ka treguar hapat që kanë ndërmarrë për të përmirësimin e gjendjes në këtë burg, gjegjësisht për të luftuar nepotizmin dhe kontrabandën në këtë institucion.
Sa i përket higjienës dhe kushteve, Thaçi ka thënë se burgu i Gjilanit, ai i Prishtinës dhe ai i Sigurisë së Lartë kanë kushte shumë të mira. Ndërsa, ka thënë se burgjet e vjetra nuk munden të ofrojnë të njëjtën pastërti sikurse burgjet e reja.
“Është e vërtetë që në Burgun e Dubravës ka nepotizëm. Është e vërtetë që në Burgun e Dubravës ende ka kontrabandë. Pikërisht për çështjen e parandalimit të këtyre dukurive negative ne kemi marrë disa hapa dhe e kemi në plan të marrin disa hapa shumë konkret. Hapi i parë që ka qenë ne e kemi dërguar një skaner shtesë, ku të gjitha produktet ushqimore kontrollohen. Ne kemi marrë hapa konkret ku transporti i ushqimit hynë vetëm në fazën e parë, ndërsa pjesa mekanike tjetër apo automjetet tjera vijnë dhe e marrin prej hyrjes. Hap tjetër që e kemi marrë kemi instaluar disa pajisje për ndërprerjen e valëve telefonike, ku në masë të madhe ka zbritur nevojën për të kontrabanduar me telefon”, tha Thaçi, raporton KP.
Hap tjetër ai tha se do të ndërmarrin duke zvogëluar numrin e të paraburgosurve dhe të burgosurve në burgun e Dubravës deri në masën 500, gjë që sipas tij mundëson që që të menaxhohen këto situata.
Thaçi, ka folur edhe për Burgun e Pejës, duke potencuar se nuk ka asnjë shkresë zyrtare se ai burg do të mbyllet. Megjithatë, ai potencon se kushtet në këtë burg nuk janë të mira.
“Burgu i Pejës nuk i plotëson kushtet që ne t’i mbajmë të burgosurit tanë. Mos të harrojmë, burgu i Pejës nuk ofron për shkak të vjetërsisë nuk ofron ndriçim të mjaftueshëm. Nuk ka të bëjë me investimet, ka të bëjë me strukturën e vet e cila është shumë e vjetër, nuk ka mundësi rehabilitimi. Aktualisht në Burgun e Pejës ne kemi 94 të burgosur, unë e di se është shumë shqetësuese se nëse mbyllet Burgu i Pejës të gjithë ata zyrtarë korrektues duhet të udhëtojnë prej Pejës në vendin e punës në Dubravë ose ku transferohen. Ata zyrtarë, disa, që kanë keqpërdorë emrin e Sindikatës, për shkak se nuk kam pranuar një shkresë nga kryetari i Sindikatës, por nga anëtarët e Sindikatës, të cilit nuk na janë drejtuar neve, po kanë qenë tek kryetari i Komunës dhe nëpër Gjykata”, tha ai.
Kurse, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, kur ka folur për Shërbimet Korrektuese është shprehur se gjendja në përgjithësi është e mirë.
Ndërkohë ai ka pasur kritikë sa i përket zgjedhjes së drejtorëve, ku sipas tij më e udhës është që drejtori të zgjidhet duke qenë pjesë e stafit dhe jo të vije nga jashtë.
“Sa i përket Qendrave Korrektuese në përgjithësi konsideroj që është një gjendje e mirë, nuk kemi hasur probleme të cilat janë të papërballueshme dhe të pamenaxhueshme. Aktualisht jemi duke zbatuar një politikë ku jemi duke u munduar ta lirojmë pak më shumë Dubraven nga një numër shumë i madh i të burgosurve dhe jemi në përfundim të hapjes së qendrës së paraburgimit në Prishtinë. Po ashtu, po i rrisim kapacitetet, sepse Qendra Korrektuese në Gjilan aktualisht punon për afër 30 deri në 40 përqind të kapaciteteve që i ka. Në mënyrë që të kemi një menaxhim më të suksesshëm të Qendrës Korrektuese të Dubravës, pasi Dubrava gjithmonë ka qenë ajo që i ka sjellë probleme më të mëdha, duke pas parasysh se e ka pasur se ka pasur gjithmonë numrin më të madh të të burgosurve. Numri është sjell 900, 1 mijë, qëllimi ynë është që Gjilani dhe Prishtina t’i përmbushin kapacitetet aq sa janë të nevojshme”, tha ai.
Kreu i Drejtësisë ka treguar se janë në proces të rekrutimit edhe të 120 gardianëve të ri, ku sipas tij ky numër e kompleton nevojën që është për kuadër të oficerëve korrektues. Tahiri ka thënë se edhe në buxhet është paraparë financimi i këtyre oficerëve të ri.
Kurse, sa i përket kapaciteteve, Tahiri ka thënë se Kosova ka hapësira të mjaftueshme, ku ai bëri të ditur se në të gjithë Kosovën janë 2 mijë e 290 shtretër nëpër burgje. E kjo sipas tij është e mjaftueshme, gjë për të cilën tha se nuk do të duhej që më të investohet.
Në komision është diskutuar edhe për pakon ushqimore, ky anëtarët e komisionit kanë kërkuar që kjo të kthehet, e që sipas tyre duhet të bëhet për shkak të cilësisë së dobët të ushqimit nëpër burgje.
Kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu, ka thënë se ndalimi i pakove ushqimore nuk e ka zgjedhur çështjen e kontrabandës, e kjo sipas saj është arsye e mjaftueshme që kjo pako të kthehet.
“Të burgosurit me të drejtë e kanë që kërkojnë rikthimin të pakos ushqimore, për shkak se në atë kohë kur është hequr përmes ndryshimeve ligjore pakoja e ushqimit ka qenë arsyeja se përmes pakos së ushqimit është bërë edhe kontrabanda. Sot ende ka kontrabandë, pra nuk është eliminuar kontrabanda nëpër qendrat korrektuese, sidomos Dubravën. Të gjithë që i kemi takuar na kanë thënë se ka kontrabanda dhe kjo nuk e ka zgjedhur problemin”, tha ajo.
Mirëpo, një përgjigje ka pasur ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, i cili ka thënë se nuk po mund të vendosin se a është më mirë që për ushqimin të kontraktohet një kompani e jashtme, apo të përgatitet nëpër burgje.
“Nuk po dimë si t’i japim drejtim më tutje, a të vazhdojmë kështu siç është, normalisht tash me këto paga që janë duke i përfshi edhe kuzhinierët që u ofrojmë edhe stafin që e kemi në kuzhina. Kjo është gjendja dhe vështirë që mund ta përmirësojmë më shumë, është goxha e vështirë. Unë mendoj që në shikim të parë do të dukej si zgjidhje më e lehtë kontraktimi nga jashtë, por kur e elaboron për çështje të sigurisë prapë del problem. Nuk është çështje e lehtë”, tha Tahiri.
Kritika për gjendjen nëpër burgje ka pasur deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi, i cili ka thënë se nëpër qendrat e paraburgimit nuk ofrohen as kushtet më elementare të shëndetësisë.
“Në Qendrat e Paraburgimit dhe të burgut të burgosurve nuk u ofrohen as kushtet minimale shëndetësore. Çdo i burgosur që ka një problem tepër të vogël me një dhëmbë ta zëmë i hiqet dhëmbi automatikisht, çdo i burgosur që veç pak ka kokë dhimbje merr diazepan ose bensedin vazhdimisht. Ka trajtim jashtëzakonisht të mangët në aspektin shëndetësor, ka trajtim të mangët në aspektin edukativ-arsimor, të burgosurit shkojnë në edukim e mesëm apo profesional vetëm sa për ta kryer këtë procedurë formalisht, mirëpo nuk ka kurrfarë cilësie. Nuk ka kurrfarë aktivitete rekreative të cilat janë të organizuara në mënyrë të rregullt, të gjitha janë të mangëta. Nuk ka kushte minimale as të pastërtisë e as të higjienës”, tha Krasniqi .
Krasniqi ka potencuar edhe faktin se të burgosurit nuk seleksionohen, ku ai tha se një i dënuar për prerje të druve qëndron në të njëjtin vend me atë që është dënuar për vrasje.
Haxhiu, ka pyetur drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi, lidhur me gardianët e suspenduar në lidhje me arratisjen e dy të miturve nga burgu u Lipjanit dhe se a kanë bërë ndonjë hetim lidhur me dëshmitarin kryesor. Thaçi është përgjigjur shkurt duke thënë se gardianët nuk janë kthyer në punë deri sa është duke vazhduar procesi ndaj tyre, kurse ka thënë se kjo nuk është kompetencë e tyre./Telegrafi/