Telegrafi

Draxler drejt largimit nga PSG, në bisedime me tri skuadra të mëdha

Julian Draxler është konsideruar si njëri nga lojtarët më të talentuar gjerman në vitet e fundit.

Por transferimi te Paris Saint Germain tri vite më parë nuk i ka bërë edhe aq mirë atij.

Përderisa në dy sezonet e fundit luajti më mirë, në edicionin 2019/2020 gjermani ka zhvilluar vetëm 11 takime në Ligue 1.

E ardhmja e tij duket larg Parc de Princes dhe ka qenë vet futbollisti që ka kërkuar largimin në verë.

Kontrata e Draxler me PSG-në skadon në verën e vitit 2021 dhe kampioni i Francës dëshiron ta shes që të fitojë diçka nga largimi i tij.

Mediat gjermane kanë raportuar se agjentët e lojtarit tanimë janë në bisedime me tri skuadra për të ardhmen e Draxler.

Arsenali interesohet për transferimin e tij në Ligën Premier, derisa Borussia Dortmund dhe Hertha Berlin e duan rikthimin e tij në Bundesliga.

PSG nga ana tjetër do ta lejonte largimin e 26-vjeçarit nëse do të vinte një ofertë mbi 20 milionë euro. /Telegrafi/