Pas deklaratave të drejtorit të futbollit të Barcelonës, Eric Abidal, se disa nga lojtarët e detyruan klubin ta shkarkonte trajnerin Ernesto Valverde me qëndrimin e tyre dhe se ata nuk angazhoheshin sa duhet, ka ardhur reagimi i Lionel Messit.
Superylli i Blaugranëve ka reaguar përmes rrjeteve sociale duke thënë se përgjegjës për situatën e krijuar janë edhe lojtarët, por edhe bordi i drejtorëve.
“Sinqerisht, nuk më pëlqen t’i bëj këto gjëra, por mendoj se të gjithë duhet të jenë përgjegjës për detyrat e tyre dhe të kenë kujdes për vendimet e tyre”, ishte postimi i Messit së bashku me një pjesë të deklaratës së Abidal na Sport.
“Lojtarët janë përgjegjës për atë që ndodh në fushë dhe ne jemi të parët që marrim kritika kur nuk kemi sukses. Ata që janë përgjegjës për menaxhimin sportiv po ashtu duhet t’i marrin përgjegjësitë e tyre dhe mbi të gjitha, t’i pranojnë vendimet që i marrin”.
“Në fund, mendoj se kur të flitet për lojtarët, duhet të jepen emra. Sepse nëse nuk jepen, atëherë jemi katandisur me komente që janë thënë dhe nuk janë të vërteta”, ka shkruar më tej argjentinasi. /Telegrafi/