Telegrafi

Drama e Superkupës përfundon me fitoren e Lazios (Video)

Lazio e ka mposhtur Juventusin me rezultat 3-2 për ta fituar Superkupën e Italisë në ndeshjen e zhvilluar në Stadio Olimpico.

Bianconerët dukeshin më të sigurt në lojën e tyre në minutat e para të ndeshjes në përpjekje që të krijonin ndonjë aksion më të zgjatur për të shënuar.

Mirëpo, me kalimin e minutave erdhi momenti i Biancocelestëve, të cilët e vunë në pozitë të vështirë kundërshtarin me sulme të njëpasnjëshme.

Dhe pas një aksioni të shpejtë të tyre, Gianluigi Buffon u detyrua të ndërhynte në mënyrë të palejuar në zonë ndaj Ciro Immobiles dhe arbitri akordoi penalti.

Dy gola nga Immobile (Twitter/Squawka)

Përgjegjësinë e mori vet sulmuesi italian dhe nga pika e bardhë e mposhti kapitenin e bardhezinjve (32’). Ky ishte goli i vetëm i pjesës së parë, edhe pse Lazio bëri lojë të rrezikshme edhe në minutat në vazhdim.

Skuadra e Simone Inzaghit u tregua e rrezikshme edhe në pjesën e dytë. Pas një harkimi të bukur nga Marco Parolo, Ciro Immobile kërceu më lartë për ta mposhtur sërish Gigi Buffonin (54’).

Menjëherë pas, Massimiliano Allegri bëri dy ndryshime duke inkuadruar në lojë Mattia De Sciglion (Mehdi Benatia) dhe Douglas Costan (Juan Cuadrado).

Më vonë u inkuadrua në lojë edhe Federico Bernardeschi (Mario Mandzukic) dhe Zonja e Vjetër u përpoq me të gjitha forcat të krijonte rrezik.

Falë këtij angazhimi, rezultati u ngushtua në minutën e 85-të me golin e Paulo Dybala.

Paulo Dybala debutoi me numrin 10 dhe shënoi dy gola (Twitter/Squawka)

Dybala e barazoi rezultatin në minutat shtesë me një gol nga penaltia (90’+1), mirëpo dramën e përfundoi Jordan Lukaku me golin e fitores për Lazion (90’+2).

Kjo është hera e katërt që Lazio e fiton Superkupën e Italisë, pas triumfeve në vitet 1998, 2000, 2009. /Telegrafi/