Në fund të muajit shkurt, Drake vendosi t’i publikonte dy këngë, “When to Say When” dhe “Chicago Freestyle”, ndërsa është interesante se i publikoi në një videoklip muzikor.
Reperi nuk ka bërë diçka të tillë në të kaluarën, ndërsa videoja e publikuar përbëhet nga dy pjesë.
Në pjesën kur këndohet “When to Say When”, Drake shfaqet duke ecur nëpër Brooklyn, derisa në pjesën e dytë, “Chicago Freestyle”, ai i udhëheq fansat drejt vilës së tij në Toronto.
Në videoklipin katërminutësh nderohen edhe kolegët e reperit, Jay-Z dhe Eminem, këngët e të cilëve, “Song Cry” dhe “Superman”, përfshihen në këtë projekt.
Këto janë dy këngët e para solo të 33-vjeçarit në vitin 2020, ndërsa më herët gjatë këtij viti e ka publikuar bashkëpunimet me Future, “Life is Good” dhe “Desires”.
Ai e ka paralajmëruar albumin e ri që do të lansohet gjatë këtij viti, mirëpo ka thënë se nuk është i sigurt për datën se kur do të publikohet. /Telegrafi/