Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë premten se drafti për Asociacionin që po qarkullon në media është një ‘fake news’.
Presidentja theksoi se nuk kanë në tavolinë ndonjë draft që lidhet me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Nuk kemi në tavolinë ndonjë draft lidhur me Asociacionin. Është ‘fake news’. Nuk është e vërtet që ekziston një draft gjerman që i është dorëzuar Republikës së Kosovës e as nuk do të ketë. Ata nuk thonë vetëm themelojeni Asociacionin, por edhe e përmendim se asnjë veprim i tillë nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”, tha Osmani, duke shtuar se sekretari amerikan Blinken ka rikonfirmuar se nga Kosova nuk do të kërkohet asgjë që do të bie ndesh me Kushtetutën.
Sa i përket çështjes së iniciativës franko-gjerman, Osmani tha se ka për qëllim nxitjen e dialogut Kosovë-Serbi.
Ajo theksoi se do të ketë takime në javët në vijim nga përfaqësuesit franko-gjermanë për të dhënë detaje rreth iniciativës.
Osmani tha më tej se qëllimi i tyre është i mirë. Megjithatë, Osmani tha se në asnjë mënyrë nuk do të tolerojnë të cenohet sovraniteti i Kosovës.
Po ashtu, presidentja e vendit ka folur të premten për çështjen e targave, ndërsa potencoi se zbatimi i vendimit është çështje e sundimit të ligjit.
“Ekziston një grup i vogël i serbëve që nuk i kanë konvertuar targat në RKS. Shtyrja e vazhdueshme e zbatimit të vendimit nënkupton se po tolerohen kërcënimet e bandave kriminale serbe”, tha ajo.
Ajo ka ftuar qytetarët serbë që të mos bien pre e presioneve dhe kërcënimeve të Serbisë. /Telegrafi/