Me një skenar si në filma, 6 personat e arrestuar dyshohet se kishin falsifikuar dhe pastaj kishin tentuar për t’i bartur dhe shpërndarë mbi 42 mijë monedha 2 eurosh të falsifikuara në Kosovë.
Agjencia Kosovare e Inteligjencës, Policia e Prokuroria janë përfshirë në zbulimin dhe arrestimin e këtij grupi të dyshuar për falsifikim të monedhave metalike 2 euroshe.
Sipas dosjes së prokurorisë, Benjamin Ajrullovski, Sherif Ajrullovski, Alil Ajrullovski, Setki Ramuka, Muhamed Krasniqi dhe Hajredin Dernjani janë gjashtë të dyshuarit për falsifikimin e monedhave 2 euro të cilat tash e një kohë janë duke qarkulluar në tregun e Kosovës, shkruan Kallxo.com.
Prokurori i Prokurorisë Speciale, Milot Krasniqi ka paraqitur në Gjykatë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për 6 të dyshuarit.
Sipas dosjes së Prokurorisë së siguruar nga KALLXO.com Benjamin, Sherif dhe Alil Ajrullovski, shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë siguruar në vendin fqinjë mbi 42 mijë copa të monedhave 2 euro në vlerë totale prej mbi 85 mijë euro, para të cilat kanë qenë të gatshme të falsifikuara.
Për t’i futur në Kosovë, ata kishin përdorë metoda të kamufluara.
Sipas prokurorisë, të dyshuarin i kishin futur paratë e falsifikuara në një qese të zezë najloni, duke u dukur si mall i zakonshëm dhe i kishin futur në Kosovë.
Dosja thotë se tre të dyshuarit nga Maqedonia e Veriut janë koordinuar me të dyshuarit e tjerë nga Kosova.
Sipas prokurorisë, ata janë takuar në Han të Elezit dhe kanë bërë ngarkimin e parave të falsifikuara në një veturë të tipit “Passat”, të cilën sipas prokurorisë po e ngiste i dyshuari Hajredin Dernjani.
Kjo veturë tashmë e sekuestruar nga Policia.
Siç shpjegohet në dosjen e prokurorisë, paratë e falsifikuara janë transportuar me këtë veturë për në Prishtinë dhe të dyshuarit janë takuar në një pompë të derivateve në lagjen ‘Veternik’ të kryeqytetit.
Sipas dosjes, plani i paraparë ka qenë që të bëhej shitblerja e parave të falsifikuara. Mirëpo këtu të njëjtit janë identifikuar nga Policia e Kosovës me ç’rast edhe është bërë arrestimi i tyre në flagrancë dhe sekuestrimi i parave të falsifikuara.
Arrestimi dhe kapja në flagrancë e të dyshuarve ka ndodhur më 28 nëntor.
Prokuroria pretendon se ekziston mundësia që në këtë rast bëhet fjalë për një grup kriminal me role të caktuara, ku të dyshuarit Maqedonas i sigurojnë paratë e falsifikuara, kurse të dyshuarit e Kosovës luajnë rolin e ndërmjetësuesve.
Prokuroria thotë se ky grup dyshohet se në mënyrë aktive bën prodhimin dhe shpërndarjen e parave fals nga Maqedonia e Veriut në Kosovë, por e lë të hapur mundësinë që një aktivitet i tillë të zhvillohet edhe në vende të tjera të rajonit.
Për këto veprime Prokuroria Speciale ka ngritur dyshime lidhur me këto vepra penale: blerja, pranimi dhe fshehja e sendeve të përfituara me vepër penale, falsifikimi i parasë dhe shpëlarja e parave.
Benjamin, Sherif dhe Alil Ajrullovsi po dyshohen për shpëlarje të parave, pasi që sipas dosjes së Prokurorisë të njëjtit kanë pasur qëllim që paratë e falsifikuara ti sillnin në Kosovë për t’i shitur me çmim të caktuar tek persona të tjerë të cilët do të i fusnin në qarkullim juridik si para të vërteta, kështu duke tentuar që të fshehin natyrën e vërtetë të tyre.
Pra, duke i paraqitur si pasuri të krijuar nga burime të ligjshme.“… janë shtetas të Maqedonisë si dhe se nga rrethanat e përgjithshme të cilat aktualisht karakterizojnë Rajonin e Ballkanit ekziston rreziku që po të lihen të lirë do të arratisen“ – thuhet në dosjen e Prokurorisë Speciale.
Në dosje gjithashtu shtjellohet pesha e natyrës së rëndë të një veprimtarie të tillë posaçërisht në Kosovë duke përmendur situatën e krijuar në tregun e Kosovës lidhur me qarkullimin e monedhave 2 euro fals.
“Dukuria e pranisë së parave të falsifikuara në Kosovë ditët e fundit vërehet si kurrë më parë, aq sa nga frika e dëmtimit personal, tregu ka filluar në mënyrë jo zyrtare që të mos i pranojë si mjete pagese monedhat 2 euro për faktin se ka shumë të tilla të falsifikuara në tregun tonë” – thuhet mes tjerash në dosjen e Prokurorisë Speciale.
Andaj sipas Prokurorisë, nëse të dyshuarit lihen në liri, ekziston rreziku që të njëjtit të vazhdojnë aktivitetin e tillë i cili do të kishte pasoja serioze në tregun financiar.
Si u arrestuan nga Policia?
Sipas dosjes së Prokurorisë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka njoftuar Prokurorinë Speciale se ekziston mundësia e ardhjes së një sasie parash të falsifikuara nga Maqedonia e Veriut.
Këto informata Drejtoria thuhet në dosje se i kishte pranuar përmes Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Prokuroria në bashkëpunim me hetuesinë kanë planifikuar punën operative e cila qoi deri tek arrestimi i të dyshuarve.
Kështu u arrit edhe arrestimi i të dyshuarve në flagrancë në njërën prej pompave të derivateve në lagjen Veternik të Prishtinës.
Ndërkaq, pas arrestimit, asnjëri prej gjashtë të dyshuarve nuk u deklarua rreth çështjes duke shfrytëzuar të drejtën për tu mbrojtur në heshtje.
Gjithashtu pas arrestimit të tyre janë gjetur dhe sekuestruar para, telefona dhe automjete.
Policia ka sekuestruar mbi 4 mijë monedhave 2 euroshe që dyshohen se janë të falsifikuara, 10 telefona dhe 5 automjete.
Sipas dosjes së prokurorisë, një prej këtyre automjeteve, pas verifikimit të hyrje – daljeve kufitare, rezulton të ketë pasur hyrje – dalje të shpeshta në kufirin Kosovë – Maqedoni e Veriut.
Bëhet fjalë për veturën e tipit VW “Touran” me targa të Maqedonisë së Veriut, e cila është gjetur në oborrin e shtëpisë së të dyshuarit Hajredin Dernjani.
Në bazë të kësaj Prokuroria ka ngritur dyshime se kjo veturë është përdorur për transportimin dhe bartjen e parave të falsifikuara.