Goditja e grupit kriminal “Çopja” nga Prokuroria e Posaçme SPAK dhe zbardhja e komunikimeve të anëtarëve të bandës në aplikacionin SKY ECC, ka zbuluar plane për atentate të tjera që do të trondisnin vendin.
Planifikuan të vendosnin tritol në policinë e Elbasanit dhe të shpërthenin eksploziv që do të montohej në disa me dronë, në të dyja rastet, për të vrarë Erion Alibej, ky i fundit sot bashkëpunëtor i drejtësisë.
Në shtator të vitit 2020 drejtoria vendore e policisë Elbasan mund të ishte ‘hedhur në erë’.
Sipas të dhënave të siguruara nga Euronews Albania, grupi kriminal ‘Çopja’ që u godit pak javë më parë nga SPAK, planifikoi të vendoste tritol në dhomat e shoqërimit ditën kur Erion Alibej, kundërshtari i tyre, u arrestua.
Për planin e tmerrshëm, grupi ‘Çopja’ ka komunikuar në SKY ECC me punonjësin e policisë Martin Musaj i cili i ka informuar se kamerat e sigurisë në pjesën e jashtme të drejtorisë së policisë nuk punonin, dhe eksplozivi mund të vendosej me lehtësi.
Për këtë plan Mikael Kamami i cili në hirarkinë e grupit kriminal ‘Çopja’ shfaqet si ‘koordinator i vrasjeve’ , ka ofruar deri në 4 milion euro. Madje ky i fundit shpehej se në drejtorinë e policisë, personi që do të hynte nga pjesa e pasme e godinës, ku nuk punonin kamerat, duhet të vendoste pranë dhomës së shoqërimit ku mbahej Alibej 5 kg eskploziv.
Plani, edhe pse grupi shprehej se kishte gati gjithçka, nuk u realizua pasi i arrestuari Erion Alibej ruhej nga forcat speciale dhe se mund të vriteshin shumë punonjës policie dhe të shoqëruar apo arrestuar të tjerë të pafajshëm.
Episodi i dytë lidhet po me planet për të vrarë Erion Alibej sërish me shpërthim eksplozivi teksa ende ai nuk ishte arrestuar.
Euronews Albania mëson se nga komunikimet në SKY ECC grupi kriminal ‘Çopja’ e konkretisht Franc Çopja ofronte 5 milion euro për ekzekutimin e “krymit” (siç tirrej Erion Alibej).
Në këtë rast grupi planifikonte të shpërthente sasi të mëdha tritoli që do të montoheshin në 3 dronë.
Mjetet fluturuese të ngarkuara me nga 5 kg esksploziv do të ngriheshin në nivelin e katit të fundit ku banonte Erion Alibej e më pas do të shpërtheheshin.
Po ashtu në një tjetër rast mësohet nga bisedat në SKY ECC se grupi ka kontaktuar një snajperist në Kosovë për ekzekutimin e Erion Alibej.
Një tipologji tjetër e grupit kriminal Çopja, është se në të gjitha rastet pas atentateve dhe vrasjeve, makinat e përdorura në ngjarjet kriminale nuk janë djegur por janë çmontuar duke humbur çdo gjurmë.
Po ashtu nga bisedat në SKY ECC rezulton se një nga personat më të kërkuar me rrezikshmëri të lartë shoqërore, Talo Çela sot në kërkim ndërkombëtar në vitin 2020 ka lëvizur në Elbasan me një automjet Mercedes Benz me fenelina policie si dhe maskohej me maska silikoni, në kërkim të kundërshtarëve të grupit Çopja ku ai ishte rreshtuar si vrasës me pagesë.
Në një nga bisedat e tjera Talo Çela është shprehur se nëse do të kishte probleme me drejtësinë do të arratisej në Brasil ku do të merrte një identitet tjetër. /Telegrafi/