Borussia Dortmund thuhet se po kërkon edhe shërbimet e sulmuesit të Juventusit, Mario Mandzukic, për sezonin e ardhshëm.
Verdhezinjtë kanë kryer një para-sezon të çmendur transferimesh duke zyrtarizuar tashmë tre lojtarë: Thorgan Hazard, Nico Schulz dhe Julian Brandt.
Megjithatë, klubi i njohur gjerman nuk dëshiron të ndalet me kaq pasi janë të interesuar të përforcohen edhe më shumë dhe ta rivalizojnë Bayernin për titull.
Sipas gazetës gjermane Bild, shefat e Dortmundit, Matthias Sammer, Michael Zorc dhe Hans-Joachim Watzke janë të gjithë të interesuar për më shumë përvojë dhe kanë etiketuar yllin e Juventusit, Mandzukicit.
Calciomercato.com gjithashtu shton se 33-vjeçari mund të largohet nga Juve këtë verë pas largimit të Massimiliano Allegrit, pavarësisht se vetëm së fundmi ka nënshkruar kontratën e re.
Sulmuesi kroat ka luajtur vetëm 33 ndeshje në sezonin 2018-19, por arriti të shënojë 10 gola dhe të sigurojë shtatë asistime.
Para Bianconerëve, kroati kaloi katër sezone në Gjermani me Wolfsburguin dhe Bayern Munichun, kështu që Bundesliga është një kampionat që e njeh mirë. /Telegrafi/