Barcelona ka pësuar humbje nga Osasuna në Camp Nou (1-2) dhe duke qenë se Real Madridi fitoi ndaj Villarrealit, Blaugranët e humbën garën për titullin e La Ligas në sezonin 2019/2020.
Mysafirët befasuan në pjesën e parë duke arritur ta zhbllokojnë rezultatin. Një harkim preciz i Pervis Estupinan nuk u pastrua nga Gerard Pique dhe ish-lojtari i katalunasve, Jose Arnaiz, e dërgoi topin në rrjetë (16’).
Lionel Messi dërgoi një goditje fantastike nga gjuajtja e lirë disa minuta më pas, mirëpo topi e goditi vetëm shtyllën transversale.
Në fillim të gjysmës së dytë u anulua një gol i Martin Braithwaite për pozitë jashtë loje. Ndërsa më pas, Sergio Herrera bëri një pritje të mrekullueshme kur Messi hyri në zonë.
Dhe atë që nuk e bëri në pjesën e parë, superylli argjentinas e bëri në të dytën. 33-vjeçari e barazoi rezultatin me një gol të bukur nga gjuajtja e lirë (62’).
Nga minuta e 77-të, Osasuna luajti me një lojtar më pak në fushë (pas përjashtimit të Enric), mirëpo Roberto Torres arriti ta shënonte golin e fitores për ekipin vizitor (90’+4).
Këtu edhe përfundoi përpjekja e Barcelonës për titullin e La Ligas për sezonin 2019/2020, pasi atë e fitoi edhe matematikisht Real Madridi.
Osasuna nuk ka ndonjë objektiv, duke qenë se ka siguruar qëndrimin në elitë, ndërsa ndodhet larg zonës evropiane. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=lu-h24s2poc